Laçi zyrtarizon mesfushorin Jon Vula, sot test me Luzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 16:01

Laçi zyrtarizon mesfushorin Jon Vula, sot test me Luzin

Stërvitej prej disa muajsh me Laçin, por vetëm dje klubi kurbinas e prezantoi. Bëhet fjalë për mesfushorin 20- vjeçar nga Kosova, Jon Vula, i cili ka lindur në Zvicër.

jon vula

“KF Laçi njofton se ka firmosur për tri vite me mesfushorin qendror, Jon Vula, i cili është produkt i akademisë së Jang Bojsit dhe ka luajtur edhe me Kombëtaren U-15 të Zvicrës. I urojmë suksese me fanellën bardhezi. Para Laçi!”, citohej ndër të tjera në njoftimin e klubit bardhezi gjatë ditës së djeshme. Vula ka qenë pjesë e klubit zviceran, FC Koniz, në ligën e tretë deri në muajin shkurt të këtij viti. Në verë u afrua te Laçi dhe pas një periudhe stërvitjesh me trajnerin Shpëtim Duro, u aktivizua në qershor në miqësoret e zhvilluara para ndeshjeve të Ligës së Konferencës. Debutimi zyrtar i Vulës do të jetë tashmë në kampionat, teksa i riu duhet të bindë trajnerin Dejan Vukiçeviç, për formacionin.

Ndërkohë, nga ana e klubit kurbinas, edhe pse po stërviten prej kohësh dhe u futën në listën e federimeve për Europën, nuk janë prezantuar ende emra si mesfushorët Mario Barjamaj, Segerso Geci dhe Isi Manellari, por gjithashtu edhe mbrojtësi Nikolin Duka. Ende nuk dihet nëse edhe mesfushori ukrainas, Mykyta Peterman, do të firmosë për Laçin, ndërkohë që po stërvitet prej tri javësh me skuadrën bardhezi. Ndërkohë, sot në orën 17:00 në aneksin e stadiumit të Laçit, do të zhvillohet edhe miqësorja kundër Luzit, që këtë sezon është pjesë e Kategorisë së Parë. Kjo është ndeshja e parë me Vukiçeviçin trajner.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"