Kundër Apolonisë kërkohet vazhdimësia. Bylisi ekip shumëkombësh, Kamara: Tani duam titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 14:10

Kundër Apolonisë kërkohet vazhdimësia. Bylisi ekip shumëkombësh, Kamara: Tani duam titullin

Bylisi ka nisur dje përgatitjet me një minianalizë pas sfidës me Korabin, ku falë trepikëshit që morën ndaj dibranëve, ballshiotët siguruan edhe matematikisht ngjitjen në Superiore. Pas kësaj fitore, vëmendja tani është përqendruar te derbi me Apoloninë, që do të zhvillohet në fundjavë në Fier.

BYLIS KAMARA

Ballshiotët realizuan fitoren e tretë radhazi duke krijuar kështu stabilitetin në rezultate, por edhe në lojë. Sfida me Apoloninë është mjaft delikate, por krahas saj te Bylisi po mendojnë edhe për skuadrën dhe elementin që do të vijojë të jetë pjesë e grupit në Superiore në sezonin 2024-2025. Siç dihet, 95 për qind e grupit janë nën kontratë. Takimet e mbetura shikohen edhe si teste vazhdimësie për të ardhmen e lojtarëve. Pas fitores me Korabin që i siguroi Bylisit që u siguroi ngjitjen në elitë, për “Panorama Sport” u prononcua një nga titullarët dhe lojtarët kryesorë të skuadrës mallakastriotë.

Bëhet fjalë për Abubakar Kamara, që është edhe një nga shënuesit kryesorë të Bylisit. “Më në fund realizuam synimin madhor duke e siguruar ngjitjen në elitë disa javë para fundit të garës. Bylisi ka qenë ekipi më i mirë në kampionat dhe synimi ynë është që të fitojmë edhe titullin. Rivalizojmë me Elbasanin, që nuk na ka mundur në asnjë përballje. Unë vija në sfidën me Korabin pas një mungesë njëjavore dhe realizova gol. Jam shumë i lumtur për këtë, megjithëse kisha edhe dy mundësi shënimi, por fati nuk më ndihmoi shumë në atë sfidë shtëpie. Është hera e dytë që provoj Superioren në Ballsh, por ndryshe nga dy sezone më parë.

Këtë edicion kam bërë më mirë dhe kam qenë protagonist në shumë ndeshje si titullar, ku kam shënuar edhe gola me peshë për skuadrën. Në Ballsh jetojmë në harmoni, sepse jemi shumë lojtarë të huaj: nigerianë, ekuadorianë, brazilianë, nga Mali dhe Guinea. Në këtë qytet kalojmë shumë mirë dhe na përkrahin edhe tifozët. Tashmë kemi edhe një mision, më shumë për prestigj, titullin kampion në Kategorinë e Parë. Janë edhe katër duele shumë të forta, por besoj se do t’ia dalim duke pasur edhe pak fat”, tha Abubakar Kamara, një nga lojtarët e dalluar këtë sezon në Ballsh.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"