Kukësi shpall Hamitin “non grata”, me Laçin gjithmonë arbitra të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 13:35

Kukësi shpall Hamitin “non grata”, me Laçin gjithmonë arbitra të huaj

Kukësi humbi ndaj Laçit me rezultatin e ngushtë 1-0 në fushën e këtyre të fundit, ku nënkampionët u ndëshkuan nga një penallti e kthyer në gol nga Naubueze në të 64-ën. Njëmbëdhjetëmetërsh, të cilin drejtuesit e Kukësit dhe vetë presidenti Safet Gjici e kontestuan dhe vijojnë të kenë bindjen se arbitri ka gabuar. 

Hamiti

Pas ndeshjes, në një prononcim për gazetën presidenti Gjici e quajti skandaloz gjykimin, por nga ana tjetër “fshikulloi” dhe skuadrën, veçanërisht theksoi se disa lojtarë nuk do të paguhen nëse do vijohet në këtë mënyrë. Ja çfarë tha konkretisht kreu i klubit: “Po ju si e patë (penalltinë) se për mua s’ka lidhje me penallti kjo. Dhe është e dyta herë që arbitrat me Laçin vendosin rezultatin. Ky është turp i madh. Nuk e kuptoj çfarë arbitrash janë këta që marrin këtë iniciativë. Shkatërrojnë investimet që ne bëjmë në futboll.

Do bëjmë ankimimet tona sipas rregullores në federatë”. Nuk zgjati shumë, e zyra juridike e klubit të Kukësit ka hartuar e dërguar në federatë shkresën përkatëse për ndëshkimin e padrejtë që Kukësit i është bërë pikërisht nga gjyqtari Eldorian Hamiti, i cili sipas nënkampionëve ka gabuar rëndë, e ka shkelur rregulloren në rastin e penalltisë së dhënë në dëm të Kukësit në rastin e Teqjas.

Me anë të kësaj kërkesë-ankese, Kukësi ka shpallur si të padëshiruar pikërisht arbitrin Eldorian Hamiti, e më tej ka kërkuar që gjykimi të jetë korrekt në ndeshjet e Kukësit.

ARBITRA TË HUAJ – Mandej verilindorët kanë kërkuar arbitra të huaj në ndeshjet kundër Laçit, e pse jo dhe në ndeshje specifike. Shpenzimet klubi verilindor i heq vetë. Në fakt nuk është hera e parë që Kukësi kërkon arbitra të huaj, pasi ka dyshuar e dyshon në ndeshje të veçanta për komplot ndaj tyre. Arbitrimin në sfidën kundër Laçit e kundërshtoi dhe trajneri Shpëtim Duro, i cili e quajti të padrejtë dhe penalltia ishte e paqenë.

Hamiti5

 PRECEDENTËT – Janë disa precedentët ku klubet kanë kërkuar arbitra të huaj. I kërkoi pikërisht Partizani në maj të vitit 2017 për ndeshjen me Kukësin në kampionat e federata e miratoi kërkesën. Në finalen e Kupës në maj të vitit 2016 ishte Kukësi që kërkoi arbitra të huaj, pikërisht kundër Laçit dhe sektori i përzgjedhjes së arbitrimit në FSHF e aprovoi kërkesën e Kukësit dhe solli italianë për gjykim, me kryesor gjyqtarin Marko Guida.

Pra, precedentët ekzistojnë, duhet vetëm vullneti dhe fryma e mirë. Dhe pse akoma kampionati nuk ka ardhur në kulmin e tij klubet po marrin masa, sidomos Kukësi, i cili e konsideron veten të vjedhur. Kuksianët i mundën brenda në Laç me një penallti inekzistente të dhënë nga gjyqtari Eldorian Hamiti. Një 11-metërsh i kontestuar shumë nga miqtë, aq sa në fund të lojës pati akuza nga presidenti Safet Gjici, drejtori i skuadrës dhe trajneri shpëtim Duro. Ky i fundit madje tha se e dinte që në Laç do të ndodhke ashtu siç ndodhi.

S.Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"