Kukësi në “pikiatë”, i vetmi ekip shqiptar me zero pikë në vitin 2024

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 12:55

Kukësi në “pikiatë”, i vetmi ekip shqiptar me zero pikë në vitin 2024

Çdo javë që kalon, e afron Kukësin me Kategorinë e Parë. As ndërrimi i trajnerëve, me Devollin që është i katërti për këtë edicion, nuk po i bën derman bluve, të cilët prej javësh nuk po dalin dot nga vendi i fundit.kukes

Humbja të premten ndaj Partizanit, praktikisht po shuan çdo shpresë për mbijetesë, edhe pse matematika i mban ende në lojë. Gjithsesi, në Kukës do t’i bëjnë hyzmetin deri në fund dhe do të tentojnë gjithçka për ta shpëtuar sezonin, edhe pse shifrat dhe rezultatet e javëve të fundit nuk janë aspak optimiste.

VITI 2024 –Ajo që po përjeton skuadra në vitin 2024 duket si një tmerr, i cili nuk po merr dot fund. Thuhet kështu, pasi verilindorët janë e vetmja skuadër në futbollin shqiptar që për këtë vit nuk ka koleksionuar asnjë pikë. Mjafton ky fakt për të treguar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet skuadra. Në tetë ndeshjet e luajtura deri më tani, blutë kanë marrë po kaq humbje. Pra, nga 24 pikë të mundshme, nuk kanë marrë asnjë. Janë pikërisht këto rezultate që e kanë stopuar ndjeshëm në krahasim me rivalët, ku vendi i tetë që të çon në “playout” dhe që aktualisht mbahet nga Teuta është plot nëntë pikë larg. Duket se edhe lëvizjet e shumta në merkaton e janarit nuk kanë dhënë efektin që prisnin në Kukës, sepse po bëjnë më keq sesa pjesa tjetër që u largua. Me pak fjalë, nëse më herët Kukësi merrte të paktën një barazim dhe mbante gjallë shanset për t’iu larguar fundit, këtë vit kanë harruar të provojnë shijen e pikës.

FITORJA E VETME –Për të vijuar me këtë start të 2024-ës, fitorja e vetme e Kukësit është ajo ndaj Elbasanit për Kupë, ku edhe kaluan në turin tjetër. Ajo fitore u pa si një motiv më shumë për të shpresuar te pikët e kampionatit, por nuk rezultoi ashtu. Në fakt, edhe kalimi i këtij turi të Kupës duket se nuk i vlen shumë, pasi skuadra është me një këmbë jashtë këtij kompeticioni, pas humbjes në sfidën e parë ndaj Partizanit në shifrat 0-1. Verilindorët përballen nesër në kryeqytet me të kuqtë dhe mbetet për t’u parë nëse mund të surprizojnë. Në ndeshjen e kampionatit ata u mundën thellë 3-0, të zhvilluar para tri ditësh.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"