Kukësi, i varur nga golat e Agim Ibraimit dhe Patrik Ezesë. Verilindorët shënojnë si ekip për titull, por pësojnë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 21:07

Kukësi, i varur nga golat e Agim Ibraimit dhe Patrik Ezesë. Verilindorët shënojnë si ekip për titull, por pësojnë…

Kukësi është një skuadër me “dy fytyra” këtë sezon. Në sulm paraqitet si një ekip që pretendon të jetë në majat e klasifikimit, ndërsa në mbrojtje duket si një klub për mbijetese. Të paktën këtë e thonë shifrat e këtij sezoni. Të kesh dy sulmuesit më të mirë të Superligës, Agim Ibraimi dhe Patrik Eze, respektivisht me nga 11 dhe 10 gola të shënuar, është një armë plus që çdo ekip do të dinte ta shfrytëzonte në favor. Megjithatë, në ndeshjet e fundit duket sikur skuadra ka çeduar edhe në ofensivë, sepse nuk është bërë detyra si duhet, ndonëse jo për faj vetëm të sulmuesve. Mjafton të thuhet se në pesë ndeshjet e fundit, kuksianët kanë shënuar në vetëm tri prej tyre, duke koleksionuar dy pikë dhe dalë kështu nga objektivat në kampionat.

Kukesi

VARËSIA

Kukësi është i varur tërësisht nga forma e Agim Ibraimit dhe Patrik Ezesë. Kur kjo dyshe nuk është në formë dhe nuk shënon, edhe Kukësi çalon, teksa kanë realizuar të dy së bashku afërsisht 3/4 e golave të skuadrës, 21 nga 32 në total. Për të vijuar më pas me Limajn që ka shënuar 6 herë, Leira 2 herë, i cili nuk është më pjesë e klubit dhe me nga një gol Kurdiç, Peposhi dhe Tsintsadze. Pra, vetëm shtatë lojtarë kanë provuar të gjejnë rrugën e rrjetës me Kukësin këtë sezon në Superiore, duke treguar në një farë mënyre që skuadrës i kanë munguar futbollistët që mund të nxirrnin nga situata ekipin në një ndeshje ku Ibraimi dhe Eze nuk do të ishin në ditën e tyre më të mirë.

MBROJTJA

Nëse sulmi e ka bërë detyrën e vet, edhe pse jo gjithnjë, mbrojtja duket se ka qenë “thembra e Akilit”. Kukësi ka pësuar 32 gola, po aq sa ka shënuar, një mesatare kjo e denjë për një ekip që ka si synim vetëm mbijetesën. Të gjitha ekipet sipër verilindorëve janë dukshëm më mirë në fazën defensive dhe më keq se ta janë vetëm Skënderbeu dhe Apolonia, dy skuadrat që mbyllin klasifikimin. Nëse Kukësi doli nga gara sa i përket fillimisht titullit kampion dhe më pas edhe Europës, një pjesë të “faturës” e ka reparti difensiv. Edhe me katërkëndëshin skuadra nuk ka qenë e sigurt, pasi fillimisht në Kupat e Europës luajti me Entonjo Elezajn, për të vijuar më pas me Dashamir Xhikën dhe së fundmi me Anxhelo Tafën. Do të jetë e vështirë edhe për Josën që në ndeshjet e mbetura të rikthejë në “shina” skuadrën, për më tepër që tani janë shumë larg zonës europiane, ndonëse çdo gabim mund të bëjë të ndiejnë rrezikun nga poshtë.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"