Kukësi do mesin e tabelës, verilindorët nisin “gjuetinë” për merkaton e janarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2023 | 11:10

Kukësi do mesin e tabelës, verilindorët nisin “gjuetinë” për merkaton e janarit

Synimi parësor i skuadrës së Kukësit është që të grumbullojë sa më shumë pikë deri në fund të këtij viti. Në kalendar janë programuar që të luhen edhe gjashtë sfida të tjera, teksa në lojë janë ende edhe 18 pikë.

kukesi stavri nica

Blutë do të përpiqen që për momentin të grumbullojnë ato pikë që t’i garantojnë të paktën pozicionin që mbajnë aktualisht në renditje, në mesin e tabelës.

Me ecurinë që kanë pasur në ndeshjet e fundit duket një mision më se i arritshëm, edhe pse kuptohet që janë vetëm dy pikë nga zona që të rrëzon nga kategoria dhe kujdesi vijon të jetë maksimal për të mos rënë sërish në ato pozita ku kanë qenë në javët e para.

MERKATO – Kërkohet që deri në hapjen e merkatos së janarit të ruhen këto pozita, sepse më pas skuadra do të hyjë në merkato. Vazhdimisht klubi ka qenë duke evidentuar lojtarë që mund t’i bëjnë punë skuadrës për t’u përforcuar, edhe pse nuk bëhet fjalë për ndërhyrje të mëdha, sepse nuk kërkohet të prishet grupi.

Gjithnjë bëhet fjalë për lojtarë të rinj në moshë dhe të talentuar, duke vijuar me politikën e ndjekur deri më tani. Nga njëra anë shpenzohet më pak, duke ditur që në klub kanë hequr dorë nga shpenzimet marramendëse. Nga ana tjetër shpresohet që ndonjë futbollist i ri në moshë të spikasë dhe pse jo të fitohet nëpërmjet shitjes së tij në të ardhmen.

Me pak fjalë, këto janë profilet e futbollistëve që po punohet për të afruar në merkaton e janarit, duke marrë parasysh se kampionati sa vjen e bëhet më i fortë dhe grupi ka nevojë për t’u përforcuar që të përballohet një garë e vështirë si ky i këtij sezoni. Megjithatë, deri në merkaton e dimrit ka ende kohë dhe mbetet për t’u parë nëse do të kryhen lëvizjet e menduara për t’u kryer.

ANTI-TIRANA – Nica po përgatitet për sfidën ndaj Tiranës dhe të gjitha gjasat janë që t’u besojë lojtarëve të javëve të fundit që ka hedhur në fushë. Pak e nga pak skuadra është kristalizuar dhe ndryshimet nuk kanë qenë të shumta në javët e fundit.

Ndaj bardhebluve dilemat e vetme duket sikur janë në fazën ofensive, aty ku janë disa lojtarë që duhet të bindin trajnerin për të fituar një vend titullari. Megjithatë, ka ende shumë ditë në dispozicion për të përzgjedhur formacionin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"