Kovaç vë veton, bllokadë Realit: Levandovski qëndron te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2018 | 21:50

Kovaç vë veton, bllokadë Realit: Levandovski qëndron te Bajerni

Trajneri i ri i Bajernit, Niko Kovaç, ka folur pas mbërritjes në Mynih me skuadrën e tij. Bavarezët ishin të impenjuar në turin amerikan ku zhvilluan dy takime luksi me Juventusin dhe Mançester Sitin. Gjermanët edhe pse nuk fituan asnjë nga takimet zhvilluan paraqitje të mira, duke marrë në konsideratë edhe lojtarët e rinj që aktivizuan gjatë turneut.

niko kovac

Trajneri Kovaç mbeti i kënaqur nga kjo paraqitje e lojtarëve të tij dhe u shpreh se ky turne u shërbeu shumë lojtarëve për të matur forcat reale me kundërshtarë të fortë. “Ishte një eksperiencë e bukur, lojtarët u zbavitën po ashtu edhe tifozët e shumtë që kishin ardhur për të na mbështetur”. Ndërsa pyetjes nëse do të ndryshonte ndonjë gjë në skuadër, trajneri iu përgjigj. “Do të bëjmë ndryshimet e duhura taktike, por jo shumë. Ndërsa, në rolin e lojtarëve jo. Manuel Nojer do të vazhdojë të jetë kapiteni i Bajernit edhe gjatë kohës që do të jem unë trajner”. Për merkaton trajneri nuk dha shumë detaje, por në lidhje me sulmuesin Robert Levandovski dhe largimin e tij nga skuadra, ai u shpreh: “U kam kërkuar drejtuesve të klubit që ta mbajnë, ai është shumë i rëndësishëm për ne, këtë e di dhe lojtari, pasi ia kam komunikuar që në momentin kur erdha në Mynih”.

MESAZHI ME DY KUPTIME I POLAKUT

Ndërkohë që Levandovski ka zhvilluar stërvitjen e parë me Bajernin nën urdhrat e trajnerit Niko Kovaç, ai ka dërguar edhe një mesazh “dashurie” te tifozët në profilin e tij në “Instagram”. “Sezon i ri, shpresa të reja, synime të reja. Tani është koha për punë që t’i realizojmë”, postoi sulmuesi. Në pamje të parë duket një deklaratë shpresëdhënëse për klubin dhe tifozët, por çfarë ka dashur të thoshte bomberi me “shpresa dhe synime të reja”. Ndoshta, ai ka vendosur që të qëndrojë në Mynih dhe të fillojë nga e para apo t’i synojë këto gjëra në një klub tjetër.

Por, polaku vazhdon të prodhojë lajme merkatoje dhe kjo ka ndodhur gjatë gjithë fazës së dytë të kampionatit. Në fillim, ai largoi menaxherin e tij të parë, duke e zëvendësuar atë me Zahavin, izraelitin që bëri të mundur transferimin e Nejmar nga Barcelona te Parisi, më pas deklaratat e njëpasnjëshme për dëshirën për të provuar diçka tjetër. Tani do të ngelet në dorën e klubit, Hënes dhe Rumnige mund ta largojnë lojtarin për një ofertë mbi 100 milionë euro, para të cilat shumë klube janë të gatshme t’i paguajnë për bomberin e Bundesligës. Drejtuesit kryesor i Dortmundit, Hanc Joakim Vatcke, deklaroi para disa ditësh se ishte i gatshëm të paguante 100 milionë për ta rikthyer Levandovskin në Dortmund. Ekip, me të cilin polaku ka luajtur në vitet e shkuara, ku dha shkëndijën e parë si sulmues i nivelit të lartë botëror.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"