“Kemi pasur shumë ulje-ngritje këtë sezon”, Arbër Çyrbja: Jemi gati për ndeshjen me Erzenin, e fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2023 | 18:36

“Kemi pasur shumë ulje-ngritje këtë sezon”, Arbër Çyrbja: Jemi gati për ndeshjen me Erzenin, e fitojmë ne

Teuta ka lënë pas fitoren me Bylisin në Durrës në llogari të javës së 20-të të Superiores dhe po përgatitet për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet të dielën në “Niko Dovana” ndaj Erzenit. Collage Maker-10-Feb-2023-06.26-PM

Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, ka folur për “Panorama Sport” në prag të ndeshjes së radhës kundër Erzenit, një derbi me emocione të përziera për sulmuesin anësor, pasi në sezonin e shkuar ishte pjesë e shijakasve. Çyrbja ishte vendimtar për Teutën në ndeshjen e shkuar, pasi i dha asistin Goxhës në momentin e golit të fitores.

Teuta po reagon edhe pas disfatave së fundmi. Ka fituar skuadra më shumë karakter në këto javë të fundit?

Në aspektin emocional natyrisht që pësuam një goditje në Laç, por kemi reaguar në mënyrë të menjëhershme në Kupë dhe ndaj Bylisit në llogari të kampionatit. Jemi përgatitur mirë dhe jemi gati. Erzeni është një skuadër e fortë. Mund t’ju them se të gjithë do të bëjmë më të mirën tonë. Do të luftojmë shumë për ta çuar ndeshjen në favorin tonë.

Si e shihni përballjen ndaj Erzenit?

Jemi të fokusuar plotësisht te ndeshja me shijakasit dhe do të synojmë të fitojmë. Njësoj si Bylisi, edhe ndaj tyre luajmë ndaj një kundërshtari, që synon të jetë lart në renditje dhe do të jetë shumë e vështirë. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe do të futemi në fushë për të bërë më të mirën dhe për të marrë fitoren.

Do të firmosnit për një pikë?

Unë nuk firmos asnjëherë. Tentojmë gjithmonë t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Ky është mentaliteti që ne kemi përcjellë në skuadër. Dua të marrim gjithmonë maksimumin e pikëve. Nëse të tjerët janë më të zotë se ne, u japim dorën dhe vazhdojmë përpara.

Mund të arrihet objektivi për gjashtë pikë në këto dy ndeshje në Durrës?

Mendoj që duhet t’u qasemi seriozisht dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Së pari me Erzenin dhe pastaj me Kukësin. Mendoj se mund të dalim me rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet.

Si e vlerësoni deri tani sezonin e Teutës?

Ka pasur shumë ulje-ngritje, nuk ka qenë sezoni më i mirë, duke pasur parasysh që ekipi i Teutës synon majat. Kemi Kupën në lojë që mund të na shpëtojë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"