“Kemi mbajtur hapin e kryesuesve”, Sebino Plaku sheh larg: Teuta ka organikën për të mbrojtur titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2021 | 20:56

“Kemi mbajtur hapin e kryesuesve”, Sebino Plaku sheh larg: Teuta ka organikën për të mbrojtur titullin

Teuta do të presë të dielën Kastriotin në fushën asnjanëse të Shkodrës, duke synuar tri pikët e radhës në kampionat. Kampionët vijnë pas fitores ndaj Egnatias dhe tashmë kërkojnë të kenë një seri rezultatesh pozitive.

plaku

Sulmuesi Sebino Plaku, i cili në sezonin e kaluar erdhi në Durrës nga Kastrioti dhe u shpall kampion, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, foli për situatën në skuadër, ndeshjen e radhës dhe synimet madhore që ka Teuta. Sipas sulmuesit 36- vjeçar, ekipi duhet të jetë i duruar ndaj krutanëve. Plaku është i bindur se skuadra aktuale i ka të gjitha mundësitë për të mbrojtur titullin kampion e, pse jo, për të qenë edhe më e fortë se vjet. Sebino, pas asaj humbjeje ndaj Tiranës u rikthyet te fitorja kundër Egnatias.

A mund të themi se vuajtët shumë në Rrogozhinë?

Çdo ndeshje ka specifikën e vet, po ashtu dhe vështirësinë e saj. Është e vërtetë që ndaj Egnatias ishte një ndeshje goxha e vështirë, por mendoj se arritëm ta kalonim mirë atë sfidë. Ishte një fitore që do të na shërbejë shumë për vazhdimësinë.

Pas gjashtë javësh kampionat jeni tri pikë më pak se vendi i parë. Ju kënaq ky start apo mund të bënit më tepër?

Më gëzon fakti që edhe pse kemi bërë shumë ndryshime në ekip, me largime dhe prurje të mëdha, prapë kemi mbajtur hapin e kryesuesve. Nuk kemi rënë për asnjë moment në batakun e mungesës së rezultateve. Lojtarët e ardhur nga merkatoja janë adaptuar shpejt.

Do të luani kundër Kastriotit të dielën. Si e parashikoni këtë takim?

Ndeshja me Kastriotin do të jetë e vështirë, pasi e dimë që është një ekip i fortë për t’u kapërcyer nga të gjithë rivalët në Superiore. Mendoj që duhet të jemi të durueshëm, pasi përballë kemi një skuadër që mbrohet me shumë forca dhe vështirë të çahet. Do të na duhet një strategji e mirë për të kaluar këtë skuadër, pasi duam të shfrytëzojmë momentin pozitiv që kemi.

Tri pikët në këtë takim nuk duhen diskutuar?

Po normalisht që objektivi ynë janë gjithmonë tri pikët ndaj çdo ekipi, sepse statusi që kemi, na e imponon këtë situatë. Teuta e vlerëson Kastriotin maksimalisht, pasi kjo ndeshje ka rëndësinë e momentit. Shpresoj të jemi në ditë të mirë dhe t’ia dalim.

Jeni i bindur se do të luftoni deri në fund për të mbrojtur titullin kampion këtë sezon?

E kam thënë edhe më parë, klubi e ka objektiv këtë, pasi kemi organikën e duhur për të synuar mbrojtjen e titullit. Fakt është që nëse klubi do ta mbështesë këtë grup në të njëjtin sinkron si vjet, lojtarët do të jenë të obliguar për t’ia kthyer këtë mbështetje me impenjim maksimal dhe rezultate. Deri në momentin që do të jemi të uritur si klub, kjo do të na bëjë që të jemi po aq të fortë sa sezonin e kaluar. Por, pse jo, edhe më të fortë se viti i titullit.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"