Kastrioti ndal Elbasanin, por i mohohet një gol. Dede: Përgjegjësia ime për barazimin, keqardhje për lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 11:58

Kastrioti ndal Elbasanin, por i mohohet një gol. Dede: Përgjegjësia ime për barazimin, keqardhje për lojtarët

Kastrioti dhe Elbasani kanë zhvilluar një duel dramatik, ku lufta sportive për t’i rrëmbyer fitoren njëri-tjetrit ka vijuar deri në minutën e 95-të, por në fund u ndalën në barazim 2-2. Kastrioti ishte shumë pranë fitores, por anulimi golit të tretë të shënuar nga Marinaj në minutën e 90-të i hoqi tri pikët aq të çmuara nga duart.

KASTRIOTI ELBASANI

Nga përsëritja e pamjeve filmike të lë të kuptosh se në këtë rast gjyqtarët kanë gabuar, pasi goli dukej i rregullt. Në momentin që është nisur topi te Marinaj, sulmuesi i Kastriotin duket në pozicion të rregullt. Ndeshja ka nisur me 10 minuta vonesë për faktin se dy nga lojtarët e Elbasanit, Greca dhe Karakaçi, kanë dalë në fushë me uniformë me numër dhe emër tjetër. Kjo ka bërë që stafi krutan të protestojë te delegati i ndeshjes Uvil Zaimi, që ka urdhëruar të ndërrohen fanellat.

Kjo nuk ndodhi pasi lojtarët nuk kishim bluzë tjetër dhe kështu Karakaçi ka luajtur me numër “66” në fanellë, ndërkohë që në protokoll ishte me numrin “6”. Greca në fanellë kishte numrin 33 me emrin e Broshkës, ndërsa në protokoll numrin 7. Pas shumë diskutimesh u arrit që në fanellën me numrin “66” që mbante Karakaçi të mbulohej me ngjitëse emri i Kurtit, që i përkiste numrit real në protokoll. Kështu u veprua edhe me Bedri Grecen që nga numr “7” që kishte në protokoll, në fanellë u fshi emri Broshka, por jo numri “33”, që i përkiste këtij të fundit në stolin e rezervave.

Ndeshja- Fillimi erdhi i qetë, por menjëherë Elbasani nis të bëhet më kërkues. Në minutën e 25-të verdheblutë kalojnë në avantazh me Edon Hasanin, ku topi i nisur nga ai në zonë nuk preket nga askush dhe përfundon në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me fitoren 1-0 të miqve.

Pjesa e dytë nis me ritëm dhe janë krutanët që në minutën e 47-të barazojnë me Kapllanin. Barazimi zgjati vetëm 5 minuta, pasi Greca shfrytëzon bukur një pasim, del zbuluar dhe përshëndet rrjetën, 1-2. Pas golit të dytë të pësuar, krutanët nuk pajtohen me humbjen dhe në minutën e 63-të goleadori Kapllani shfrytëzoi pasimin e Mehmetit dhe me kokë barazon shifrat në 2-2. Në fund krutanëve iu anulua një gol i rregullt, duke i mohuar trepikëshin. Në të 76-ën, trajneri Ndreu u ndëshkua me karton të kuq për protesta.

NEVIL DEDE

Dede: Përgjegjësia ime për barazimin, keqardhje për lojtarët

Trajneri i Elbasanit, Nevil Dede, në prononcimin e tij për “Panorama Sport” pas ndeshjes pohon se i vjen keq për pësimin e dy golave, pasi me atë që dhanë në fushë meritonin të dilnin me tri pikë. Gjithsesi, me ndalimin e Bylisit, verdheblutë rikuperojnë një pikë me rivalin që i rrezikon vendin e parë. “Përgjegjësitë e këtij barazimi janë vetëm të miat si trajner.

Më vjen keq për djemtë, sepse meritonin të merrnin tri pikët. Në fakt, ishte një fushë shumë e vështirë për të luajtur, shumë e keqe nga ana e terrenit, ku edhe dyluftimet u bënë të forta. Shpërdoruam shumë raste dhe pësuam dy gola më shumë për mungesë përqendrimi. Gjithsesi, do të shohim përpara. Ishte një javë që foli sërish për ne, pavarësisht se na mërzit fakti që pësuam dy gola”, mbylli prononcimin e tij për gazetën tekniku i Elbasanit.

SH.HASANI/ V.MEMA- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"