Kastrati : Fitorja ndaj Luftëtarit nuk vlen nëse humbim nesë, ja pse pësojmë kaq shumë gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 11:16

Kastrati : Fitorja ndaj Luftëtarit nuk vlen nëse humbim nesë, ja pse pësojmë kaq shumë gola

Fitorja e arritur në Gjirokastër ka rritur moralin te “Djemtë e detit”, që tani po punojnë të qetë dhe larg presionit të rezultateve negative. Ndaj Vllaznisë do të kërkojnë patjetër triumfin, por do të kenë një mungesë të rëndësishme si Lena. Për fatin e Maganit në këtë sfidë rikthehet Hila. Portieri Elhan Kastrati e konsideroi si jetike fitoren e arritur kundër Luftëtarit në mesjavë.

kastrati ogunxhimi skenderbeu teuta

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme për të vazhduar në mënyrën sa më të mirë fazën e dytë dhe për të lënë pas ato rezultate negative të ndeshjeve të fundit. Pas çdo humbje presioni filloi të rritet dhe morali pa e kuptuar humbet. Kjo fitore na bëri shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur që e arritëm dhe e nisëm me këmbën e mbarë fazën e dytë”, tha Kastrati për “Panorama Sport”.

RROTACIONI

“Në skuadër të gjithë janë të rëndësishëm dhe asnjë nuk është i pazëvendësueshëm. Të gjithë ata që futen në fushë kanë një qëllim: të bëjnë mirë për veten dhe skuadrën sigurisht”.

GOLAT

“Besoj se humbja e qetësisë dhe vigjilencës na ka ndëshkuar pothuajse gjithmonë. Edhe trajneri na ka thënë se duhet të jemi më të qetë në fushë”.

EKSPERIENCA

“Nuk besoj se është mungesa e eksperiencës, pasi kemi lojtarë shumë të mirë në skuadër që kanë disa vite mbi supe. Besoj se pas rezultateve negative që kemi marrë, humbet edhe vetëbesimi. Ky është një tjetër element shumë i rëndësishëm”.

VLLAZNIA

“Po punojmë fort në stërvitje, ashtu si gjithmonë qe të marrim maksimumin. Kërkojmë të vazhdojmë me serinë e fitoreve dhe të mos ndalemi më, pasi në të kundërt fitorja ndaj Luftëtarit nuk do të kishte rëndësi”.

OBJEKTIVAT

“Fillimisht shpresoj që përfundimisht ta hedhim pas krahëve ecurinë negative dhe të vazhdojmë me fitore. E rëndësishme është të mos gabojmë më dhe t’i marrim ndeshjet me radhë, më pas të shohim se ku do të arrijmë. E theksoj se kemi lojtarë me vlera dhe do të bëjmë mirë”.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"