Kampioni i kërcimit së gjati, Smajlaj: Në Xhenova për rekord, synoj normën e Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2019 | 20:34

Kampioni i kërcimit së gjati, Smajlaj: Në Xhenova për rekord, synoj normën e Botërorit

Kampioni i Europës në kërcimin së gjati, Izmir Smajlaj, njëkohësisht edhe rekordmeni shqiptar në këtë disiplinë me 8.08 metra, në Mitingun Internacional të zhvilluar para pak ditësh në Elbasan ia doli të shpallet sportisti më i mirë. 26-vjeçari u shpreh i kënaqur me formën që po kalon, ndonëse vinte pas një gjendjeje gripale që në njëfarë mënyre, i privoi edhe rezultatin në këto gara.

smajlaj-kampion-evrope-696x464

Në një prononcim për “Panorama Sport” pas garave, shkodrani u shpreh: “Të them të drejtën në stërvitje kam qenë në një gjendje shumë të mirë, por këto ditët e fundit kam kaluar një gjendje gripale dhe kjo ndikoi pak në garë. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, ashtu edhe motit jo të mirë, rezultati që mora ishte shumë i mirë. Falë trajnerit tim, Gjergj Rulit, mund të them që po kaloj një formë optimale”, u shpreh fillimisht Smajlaj, i cili para pak ditësh në Elbasan kërceu 7.80 metra.

REKORDI – Rekordi i tij kombëtar është 8.08 metra, të cilin Smajlaj shpreson ta thyejë të mërkurën në Mitingun që do të mbahet në Xhenoa të Italisë, pasi i gëzohet formës së mirë sportive që po kalon. “Të mërkurën kam një tjetër garë, në Miningun e Xhenoas, ku do të synoj të thyej rekordin kombëtar. Kam shumë besim se do të dal me rezultat shumë të mirë, pasi e shoh veten që jam në formë për t’ia dalë. Dhe e shoh momentin e duhur për ta thyer rekordin që mbahet po nga unë”, vijoi më tej rekordmeni shkodran i atletikës shqiptare. Smaljaj ka synime madhore edhe në Botërorin e shtatorit në Doha, por deri atëherë do të vijojë me intensitet të lartë përgatitjet, për të qenë në formë sa më të mirë fizike. “Si fillim dua të kap normën e Botërorit dhe më pas të shohim performancën atje”, u shpreh shkurtimisht Izmir Smajlaj, i cili është duke bërë historinë në atletikën shqiptare.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"