Kampionati kombëtar i xhudos për të rritur e kadetë, ja ekipi që dominoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 12:29

Kampionati kombëtar i xhudos për të rritur e kadetë, ja ekipi që dominoi

Federata Shqiptare e Xhudos ka zhvilluar të dielën aktivitetin më të rëndësishëm vjetor, kampionatit kombëtar për të rritur dhe për kadetë. Pallati i sportit “Asllan Rusi” u shndërrua në arenë duelesh në një event që pati pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha klubet e regjistruara në FSHJ.

xhudo

E veçanta e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e femrave, të cilat konkurruan në të gjitha peshat, ndërsa gjithashtu në këtë eveniment garuan edhe shumë sportistë shqiptarë që vinin nga shtete të ndryshme të Europës. Duke kaluar te rezultatet, edhe një herë tjetër Tirana është konfirmuar si superfuqi absolute në sportin e xhudos. Armata bardheblu i fitoi të gjitha peshat për të rritur në radhët e djemve.

Trajneri Shkurt Çullhaj ka arritur të krijojë një skuadër dominuese, me Tiranën që prej vitesh është superfuqi në xhudon shqiptare. Një duel për tu veçuar ishte ai i peshave -90 kg, me Aldo Lushakun që triumfoi pas një sfide tepër të bukur. Gjithashtu Indrit Çullhaj vijon të mbrojë fronin, duke mos njohur rivalë në arenën kombëtare, me 17 tituj radhazi kampionë, që prej moshave dhe deri me të rriturit.

Edhe në radhët e vajzave Tirana ishte ekipi që nxori më shumë kampione, me 3 tituj për të rritura, ndjekur nga Vllaznia me dy triumfe. Ndërsa Studenti dhe Besëlidhja ngjitën nga një sportiste në shkallën më të lartë të podiumin e senioreve. Edhe në këtë kampionat Federata Shqiptare e Xhudos vijoi bashkëpunimin me Kosovë, me ndeshjet që u gjykuan nga arbitrat dardanë.

Në tabelë pasqyrohen kampionët për të gjitha peshat, duke nisur nga kategoria për të rritur dhe deri tek kategoria e kadetëve. Aktiviteti i radhës për xhudon shqiptare do të jetë pjesëmarrja në Kampionatin Europian për të rritur, event që do të mbahet në Kroaci më datat 25- 28 prill, për të vijuar me kompeticionet ballkanike.

rez

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"