Kamerunasi i Kastriotit: Kemi besim, dalim nga fundi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 21:50

Kamerunasi i Kastriotit: Kemi besim, dalim nga fundi

Dita-ditës kamerunasit e Kastriotit, të cilët iu bashkuan skuadrës më vonë se pjesa tjetër, po përshtaten me grupin. Tabort Preston ndihet mjaft i kënaqur që ka marrë minutat e para në Superiore në takimin ndaj Teutës, ndonëse vetëm 25 të tilla.

tabort preston kastrioti

Në prononcimin e shkurtër për “Panorama Sport”, Preston, siç i pëlqen ta thërrasin, deklaron se është i kënaqur me debutimin dhe premton që nëse do t’i jepet mundësia në ndeshje të tjera, do t’ia shpërblejë trajnerit. “Jam shumë i kënaqur, që pas një periudhe të gjatë arrita të debutoja në kampionatin shqiptar. Megjithatë duhet ta them se këtu po ndihemi mirë si unë dhe dy bashkëkombësit e mi. Kampionati shqiptar, ndryshe nga sa kishim dëgjuar, ka mjaft cilësi dhe është shumë i fortë. I kam ndjekur shumicën e skuadrave dhe kam parë që janë pothuajse të të njëjtit nivel, me përjashtim të skuadrave të kreut.

Njëra prej tyre është edhe kundërshtari ynë i radhës, ku nga ajo që unë kam evidentuar, ka një skuadër të mirë e të kompletuar. Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë, por jo e pamundur. Uroj që kjo ndeshje të jetë pika e kthesës për ne”, deklaroi Preston.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"