“Kam edhe familjen kundër, por fiton Skënderbeu”, shkodrani Pusi: Kjo është Vllaznia tjetër, e rikthen titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 18:51

“Kam edhe familjen kundër, por fiton Skënderbeu”, shkodrani Pusi: Kjo është Vllaznia tjetër, e rikthen titullin kampion

Belajdi Pusi, kundër së shkuarës. Ndeshja e kësaj jave do të jetë një takim special për sulmuesin shkodran, pasi do të vihet kundër ekipit ku u formua si futbollist. Shkodrani i sulmit bardhekuq do të ketë një tjetër ndeshje të veçantë, si ajo e sezonit të kaluar kur shënoi duke ndëshkuar në sekondat e fundit Vllazninë. Edhe këtë herë ndeshja vlen shumë për të dyja ekipet. Në një prononcim për “Panorama Sport” Pusi tregon emocionet e kësaj sfide dhe rëndësinë e pikëve për korçarët.
belajdi pusi
“Gjithmonë për mua Skënderbeu-Vllaznia në këto sezone ka qenë një ndeshje ndryshe nga të tjerat. Takim i mbushur me shumë emocione dhe nostalgji. Unë jam rritur në Shkodër dhe te Vllaznia si futbollist dhe për këtë i detyrohem shumë klubit dhe qytetit tim. Tani jam në Korçë dhe mbroj ngjyrat e Skënderbeut prandaj dua të bëj më të mirën për këtë fanellë. Do të jetë një tjetër ndeshje speciale, ashtu siç kam përjetuar disa në karrierën time. E ndiej se edhe familjen pjesërisht do ta kem kundër”, theksoi fillimisht Pusi.
MEMELLI STERVITJE SKENDERBEU
SKËNDERBEU – Sulmuesi më tej u ndal tek ecuria e keqe e Skënderbeut, teksa motivon shokët për të nisur serinë e rezultateve pozitive, që për korçarët janë shumë të vlefshme. “Po kalojmë një moment delikat dhe kjo reflektohet edhe në pozicionin që kemi në renditje. Kemi kaluar gjysmën e kampionatit dhe ndodhemi në fund të klasifikimit me vetëm 12 pikë. Për këtë na lind nevoja që të rikuperojmë pikë dhe pozicione në gjysmën e mbetur, pse jo duke nisur që nga kjo javë. Kemi reflektuar këto kohë dhe jemi të motivuar për të bërë mirë duke dalë nga kjo situatë, pasi i kaluam ato ndeshjet delikate dhe të vështira. Tani duhet të jemi të përqendruar për të marr më të mirën, sidomos me ekipet që jemi duke luftuar për mbijetesën”, vijon sulmuesi.
vllaznia
VLLAZNIA – 23-vjeçari shkodran është i bindur se Vllaznia po kalon një moment që pakkush e kishte menduar në fillim të sezonit duke u kthyer në pretendente për titullin. Por, në javët e fundit ka treguar luhatje, pikërisht këtë duhet të shfrytëzojnë bardhekuqtë. “Vllaznia e këtij sezoni është një ekip krejt tjetër. Shumë i fortë dhe kandidati kryesor për titullin. Ka bërë një rrugëtim mjaft të mirë deri tani duke diktuar dhe dominuar. Për këtë mendoj se titulli rikthehet në Shkodër. Por në ndeshjet e fundit nuk ka treguar stabilitet, prandaj them se ky është momenti më i mirë për ne që përballemi me Vllazninë. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum gjendjen e shkodranëve dhe mungesat që ata do të kenë në Korçë”, përfundoi Belajdi Pusi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"