“Jo titullit në tavolinë”, trajnerja e Partizanit kundër kërkesës së Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 22:47

“Jo titullit në tavolinë”, trajnerja e Partizanit kundër kërkesës së Flamurtarit

Ndonëse Federata Shqiptare e Basketbollit kishte përpiluar kalendarin për rikthimin në parket, sezoni 2019- 2020 duket se po shkon drejt anulimit, ku pritet vetëm zyrtarizimi nga Komiteti Drejtues i FSHB-së. Por kjo situatë ka hapur shumë debate për sa i përket dhënies së titullit kampion.

Ledina Koci

Flamurtari në radhët e femrave kërkon titullin në tavolinë, ndërsa Partizani i vendit të dytë thekson që nuk duhet të ketë kampionë nëse skuadrat nuk do të zbresin në parket. Këtë e konfirmon trajnerja e kryeqytetasve, Ledina Koçi, e cila në një intervistë për “Panorama Sport” shpjegon pse nuk duhet të jepet trofeu. Koçi gjithashtu i kërkon federatës që të mos nxitohet në vendime dhe propozon që faza finale të luhet në korrik. Trajnerja gjithashtu tregon vështirësitë e kësaj periudhe, ndërsa premton surpriza për Partizanin e së ardhmes.

Çfarë po ndodh me skuadrën e Partizanit në këtë periudhë? Po vijoni të stërviteni?

Momentalisht kemi rifilluar stërvitjet në grupe, por me gjithë dëshirën për të treguar sadopak profesionalizëm, është e pamundur të realizosh një program të qartë, pasi nuk dimë nëse do të luajmë apo jo.

Rreziku i dëmtimeve është mjaft i lartë sepse lojtaret vijnë nga një periudhë e plotë pushimi, dikush mund të mendojë që edhe në verë nga pushimi vijnë, por ai nuk është pushim absolut dhe lojtaret kanë dispozicion rreth 40 ditë për t’u përgatitur, si dhe kanë datë të qartë për fillimin e aktivitetit, ndërsa tani këtij momenti të vështirë, fizik, psikologjik dhe financiar i shtohet edhe paqartësia.

Mendoni që po zgjatet më shumë se duhet vendimi final për aktivitetin?

Ajo që mendoj unë është se Komiteti Drejtues duhet të jetë mbi të gjitha shumë i qartë për vendimin, të mos marrë vendime emocionale, që të mos detyrohen të rimblidhen e të rimarrin përsëri vendime. Përderisa pritëm kaq shumë, do të ishte absurde tani që të mbyllej sezoni, ose ta kishin mbyllur në kohë ose tani meqë pritëm kaq shumë duhet ta mbyllim në parket, pasi kjo ishte dëshira e të gjitha skuadrave.

pARTIZANI BASKET FEMRA

KD, me dëshirën e mirë për të vazhduar mori vendimin për të zhvilluar fazën ‘Final Four’ në dt 13- 14 qershor, për të cilin mendoj se si datë ndoshta ishte pak e nxituar, gjithsesi e theksoj se ishte me dëshirën për të luajtur. I përgëzojmë ata për vendimin që morën, ne ishim përgatitur dhe po përgatitemi (sipas vendimit unanim të skuadrave) që ta mbyllim aktivitetin në parket dhe nuk është e drejtë që ta anulosh kampionatin, pasi skuadrat kanë investuar.

Lekët që kanë shpenzuar, kush do t’i paguajë, FSHB? Kështu që federata mori vendimin e drejtë që ky kampionat të mbyllej në parket. Tani ata thjesht duhet të vazhdojnë vendimin e tyre duke rivendosur data të reja. Ne jemi të gatshëm edhe në korrik, mendoj se nuk pengon asgjë pasi këtë verë siç jemi në dijeni nuk ka as kampionate evropiane, kështu që koha dhe burimet njerëzore janë.

A duhet të shpallet skuadra kampione nëse nuk rinis kampionati?

E përsëris, së pari ne mendojmë që duhet të mbyllet në parket siç ishte dëshira e skuadrave. Gjithsesi, nëse kjo do të ishte jashtë mundësive, natyrisht që sezoni nuk duhet të ketë kampion, kjo pasi siç dihet në basketboll është faza “play off” ajo që vendos, sezoni i rregullt të jep mundësinë e avantazhit fushë dhe asgjë më tepër.

Edhe skuadra e vendit të 4-t mund të dalë kampion. Kjo gjë ka ndodhur në të gjitha vendet në basketboll në Europë (me dy përjashtime në basketboll meshkuj Lituani dhe Greqi, por më duhet të theksoj se këto skuadra u shpallën kampione jo me vendimin e federatave, por me dakordësinë e të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në kampionat. “Play off”-i është vendimtar për shpalljen e skuadrës kampione.

Këtë sezon kemi parë një Partizan mjaft të bukur dhe konkurrues. Si do të jetë ekipi i së ardhmes?

Partizani ka nisur një projekt afatgjatë për mbështetjen e basketbollisteve shqiptare dhe natyrisht që do ta vazhdojë këtë projekt dhe të jeni të sigurt se surpriza do ketë, pse jo edhe me ndonjë lojtare shqiptare që luan jashtë. Ne po përpiqemi të jemi konkurrues dhe mendojmë se ia kemi arritur deri diku, por këtë ia lëmë të tjerëve të na vlerësojnë.

Detyra jonë është të përqendrohemi në punë dhe zhvillimin e basketbollit të femrave që ka aq nevojë. Për këtë dua të falënderoj të gjitha skuadrat e femrave që me aq mund po e mbajnë gjallë këtë sport.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"