“Jepte ryshfet për të mundur Hamiltonin”, ish-mekaniku tregon prapaskenat për pilotin e njohur: Zarfe me euro që skuderia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 17:52

“Jepte ryshfet për të mundur Hamiltonin”, ish-mekaniku tregon prapaskenat për pilotin e njohur: Zarfe me euro që skuderia…

Fernando Alonso – Luis Hamilton, një rivalitet historik që e ka zanafillën që prej 2007-ës, vit në të cilin dy pilotët ishin shokë skuadre te MekLaren. Britaniku debutonte në Formula 1 pasi kishte triumfuar në GP2 në 2006-ën, ndërsa spanjolli mbërrinte në skuderi pas dy titujve botërorë me makinën Renault. Që në atë edicion nisi menjëherë një luftë e brendshme në bokse, madje edhe me “dhënie ryshfetesh”, zbulon ish-mekaniku Mark Pristlei.

16113047114616

“Një prej taktikave të Nandos ishte që të sillte në anën e tij të gjithë skuadrën – kujton Pristlei – dhe gjatë mbërritjes para një gare kisha vënë re një prej menaxherëve të tij së bashku me trajnerin, që po shpërndanin disa zarfe të vegjël me ngjyrë kafe, të cilat ishin plot me para. Këto zarfe u jepeshin të gjithë atyre që nuk punonin për makinën e Luis Hamiltonit”.

ZARFET ME EURO – Më tej ish-mekaniku vijon rrëfimin e tij: “Alonso paguante për të pasur mbështetjen e më shumë njerëzve në skuadër. Ai kërkonte që të luftonte kundër kontrollit të skuderisë. Kujtoj se kur ma kanë dhënë një zarf të tillë, e hapa menjëherë dhe pashë që kishte brenda 1500 euro. U thashë ‘çfarë janë këto?’, por trajneri i tij u largua dhe unë mbeta me zarfin e mbushur me para në dorë. Që aty nisën të qarkullonin zërat në skuadër dhe të vetmit njerëz që nuk i kanë marrë ato zarfe kanë qenë personat e ekipit të Hamiltonit”, tregon Pristlei, i cili shton: “Aty nisa të kuptoja se çfarë po ndodhte realisht. Fernando po kërkonte mbështetjen e më shumë njerëzve brenda skuderisë, duke inkurajuar që të mbështesnin atë në këtë betejë të brendshme brenda skuadrës”.

PA-50521007-1-1200x630

Më tej ish-mekaniku i MekLarenit thotë: “Taktika e ndjekur mund të themi se ishte inteligjente, por në fund gjithçka u mor vesh dhe më pas të gjithë i dorëzuan këto para për bamirësi”.

Më tej Pristlei e mbyll kështu rrëfimin e tij: “Ishte një veprim i drejtë për t’u bërë, por ajo që kishte ndodhur na bëri të kuptojmë mentalitetin e ndryshëm që kishte mes dy pilotëve”.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti që të fitonte titullin gjatë atij sezoni, trofe që shkoi për Kimi Raikonenin, i pari dhe i vetmi për finlandezin që asokohe debutonte me Ferrarin.

Gjithsesi, Hamilton do të triumfonte një vit më vonë, ndërsa Alonso në fund të 2007- ës u largua nga MekLaren për t’u rikthyer te Renault, pa mundur më që të shpallej kampion në Formula 1.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"