Java e fundit/ Verdiktet dhe çuditë e Superiores, vendi i katërt është si një… trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 22:40

Java e fundit/ Verdiktet dhe çuditë e Superiores, vendi i katërt është si një… trofe

Ka mbetur për t’u luajtur edhe një javë kampionat (të shtunën), ndërsa dilema e vetme në Superiore është vendi i katërt, aty ku në garë janë Skënderbeu, Tirana, Dinamo dhe Teuta. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha verdiktet e deritanishme dhe çudinë me garën për Europën.

WhatsApp Image 2024-05-10 at 12.37.56

* Egnatia ka siguruar vendin e parë një javë para fundit të kampionatit. Klubi rrogozhinas do të marrë shpërblimin prej 100 milionë lekësh (të vjetër) nga FSHF si kryesues pas 36 javëve.

* Egnatia, Partizani dhe Vllaznia janë klubet që kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final 4”.

* Kukësi dhe Erzeni kanë zbritur automatikisht në Kategorinë e Parë.

* Laçi do të luajë një ndeshje “play out” në fushën e vet me fituesin e fazës “play off” të Kategorisë së Parë. Klubi kurbinas është matematikisht i teti në renditje një javë para fundit.

* Skënderbeu është aktualisht në vendin e katërt dhe nëse e mbyll kampionatin në këtë pozicion, do të marrë pjesë në “Final 4”. Mirëpo, klubi korçar e ka të pamundur të luajë më pas në Kupat e Europës, sido që të jenë rezultatet në katërshe, pasi është i dënuar nga UEFA. Vendin e tyre do të zërë skuadra e renditur më mirë në klasifikimin e përgjithshëm.

* Skema për shpalljen e ekipit kampion dhe atyre që shkojnë në Europë me “Final 4”, si dhe fakti që Skënderbeu është i dënuar për pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s, ka prodhuar një anomali. Vllaznia pret Skënderbeun në javën e fundit dhe më shumë i intereson të humbasë, pasi kështu e siguron automatikisht pjesëmarrjen në Europë. Me fitoren në Shkodër, korçarët zyrtarizohen në vendin e katërt dhe nga ana tjetër, Egnatia, Partizani dhe Vllaznia, automatikisht kanë të konfirmuar pjesëmarrjen në Europë. Kjo ndodh sepse siç thamë më lart, klubi korçar është i dënuar nga UEFA dhe nuk luan në Europë, sido që të renditet në fazën finale të katërshes.

* Me Skënderbeun në “Final 4”, edhe në rast se Kukësi fiton Kupën, duke pasur të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Konferencës, sërish në Europë do të shkojnë Egnatia, Partizani dhe Vllaznia.

* FSHF nuk ka bërë transparente ende përgjigjet për klubet që janë licencuar ose jo për të marrë pjesë në Kupat e Europës. Shumica e tyre kanë probleme dhe nuk plotësojnë kriteret e UEFA-s për licencimin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"