“Jam përballë Shkodrës dhe babait tim”, Plori: Dua ta ngjis Besëlidhjen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2020 | 22:29

“Jam përballë Shkodrës dhe babait tim”, Plori: Dua ta ngjis Besëlidhjen në Superiore

Në Lezhë ëndërrojnë ngjitjen dhe zyrtarisht janë vetëm 90 minuta larg këtij misioni. Pasi mposhtën Pogradecin, tashmë duhet të kalojnë edhe Vllazninë. Lezhjanët janë thuajse gati për këtë finale “play off”-i, e cila do të nisë prej orës 19:00 në “Loro Boriçi”. Elvis Plori pret që të jetë ai që do ta rikthejë ekipin pas 12 vitesh në elitë, ndonëse e pranon që të lehtë nuk do ta kenë. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani i stolit të Besëlidhjes analizon këtë pragndeshje.
elvis plori
E ka të qartë se gabimet janë të ndaluara dhe shpreh keqardhje që do t’i duhet të jetë ai “gjenerali” kundërshtar i Vllaznisë. “Çdo ndeshje ka veçantitë e saj, por kjo e së dielës është më shumë speciale. Besëlidhja ka 12 vjet që e pret rikthimin në elitë, ndërsa për Vllazninë një duel që do të zyrtarizojë fatet e së ardhmes. Në këto vitet e fundit ata po përpëliten mes mbijetesës dhe rënies. Është e qartë se të dyja skuadrat do të zbresin në arenën e blertë të ‘Loro Boriçit’ me objektivin e qartë: fitoren. Kjo do t’i detyrojë ekipet që të jenë shumë të vëmendshme ndaj gabimeve, pasi ato do t’i mundësojnë kundërshtarit shijimin e Kategorisë Superiores për sezonin e ri. Në të tilla ndeshje rëndësi ka vetëm rezultati, shfaqjet spektakolare dhe rastet e humbura nuk vlejnë. Kohë rikuperimi nuk kemi, gjithçka mbyllet në atë 90-minutësh ose diçka më tepër”, u shpreh fillimisht 41- vjeçari.
BESELIDHJA
ENTUZIAZMI – Plori e sheh këtë ndeshje si një mundësi për të shpërblyer mundësinë e presidencës në dekadën e fundit. “Bashkë me presidentin Gjok Noka i cili ka një dekadë që po e mban i vetëm dhe po bën të pamundurën për ta mbajtur gjallë futbollin lezhjan, kemi shumë besim se do t’ia dalim mbanë me sukses. Kam besim te grupi i lojtarëve që kam në dispozicion, pavarësisht ndonjë mungese. Më vjen shumë keq që në këtë finaleje mbijetese për Vllaznisë do të jem pikërisht unë gjenerali i frontit kundërshtar. Nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje, s’do ta dëshiroja veten në këtë pozicion. Përveçse përballë Vllaznisë dhe popullit shkodran, jam edhe përballë babait tim, i cili është një nga tifozët më të zjarrtë të saj. Të jemi realistë, Vllaznia në organikën e saj ka mjaft futbollistë tepër cilësorë, që janë të vlerësuar në tregun futbollistik, por Besëlidhja ka treguar me fakte se di ta menaxhojë lojën përballë cilësisë. Gjithsesi, në një ndeshje mund të fitojë edhe dëshira e entuziazmi pa përjashtuar edhe fatin”, shtoi trajneri.
beselidhja
GJYKIMI – Fusha nuk i favorizon, por të paktën shkodrani pret një gjykim korrekt në këtë takim “play off”-i. “Shpresoj që federata ta vlerësojë këtë ndeshje, duke caktuar gjyqtarët e duhur. Mjaft ndihmë i ka dhënë skuadrës vendëse, duke e caktuar ndeshjen në fushën e saj. Ashtu siç e theksova edhe më lart, të gjithë do të zbresim në fushë për të fituar dhe normalisht që njëra do të festojë në fund. Vetëm nga marzhi i gabimeve do të përcaktohet edhe ekipi që do të shijojë Superioren në sezonin e ri futbollistik”, përfundoi Elvis Plori.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"