“Jam në kulmin e karrierës”, Edison Ndreca: Dua Kombëtaren…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 12:52

“Jam në kulmin e karrierës”, Edison Ndreca: Dua Kombëtaren…

Edison Ndreca është një nga pikat e forta të Bylisit të Superiores, ku në dy sezone luan titullar në Ballsh. Anësori i majtë ka një formë të shkëlqyer dhe këtë po e tregon jo vetëm si mbrojtës e mesfushor, por po spikat edhe si shënues. Madje, pas Bexhi Antonit me tetë gola, Edison Ndreca është shënuesi i dytë më i mirë në radhët e skuadrës së Bylisit me pesë gola të shënuar.

ndreca

Dy dopieta ndaj Apolonisë në barazimin 2-2 në Fier dhe e dyta të dielën ndaj Kukësit në Ballsh, ndërsa një gol ia ka shënuar edhe Kastriotit në fitoren 2-1 në Ballsh. Ndreca në një intervistë për “Panorama Sport” ka dedikime të veçanta për golat, ndërsa synon që të shënojë edhe më shumë. Ai po spikat si goleador në Ballsh dhe tashmë, anësori kurbinas është në kulmin e karrierës së tij, në moshën 26-vjeçare.

Ndreca, pa dy nuk ka tre, pasi morët pikë me Teutën e fituat në Shkodër, mundni edhe Kukësin një nga kandidatët për titull këtë sezon…

E rëndësishme është që ne fituam sepse ka vlera të mëdha. Kurrë nuk kemi bërë tri ndeshje e shtatë pikë këtë sezon, kështu që edhe vetë jemi motivuar shumë që ta fitojmë këtë ndeshje duke vlerësuar kundërshtarin. Ia dolëm dhe duhet që të ruajmë ritmin në mënyrë që të rrisim edhe më shumë besimin dhe optimizmin në skuadër për të lënë sa më shpejt pozitën në të cilën ne ndodhemi.

Një fitore e vuajtur, ku krahas Kukësit, keni sfiduar edhe terrenin, sepse Bylisi është një ekip që qarkullon topin. Si do ta komentoni?

Të them të drejtën, ishim motivuar që ta fitonim ndeshjen, unë jam shumë i lumtur dhe jemi me të vërtetë një grup shumë i mirë. Kukësi e ka nisur me pretendime, por në futboll ka statistika dhe Kukësi nuk bëri asgjë, madje ne kemi shkuar disa herë në portë me futboll logjik. Shiko, unë kam qenë edhe kundërshtar kundër Bylisit, por kur jam këtu pjesë e ekipit, them që është një ekip që luan futboll të shtruar, e lë kundërshtarin që të luajë dhe terreni edhe ne na privoi, sepse ne luajmë futboll bashkëkohor. Të rëndësishme janë tri pikët.

Ndreca, kur shënoni ju, Bylisi fiton dhe merr pikë…

Natyrisht që jam shumë i lumtur edhe për faktin se kam shënuar dy gola. Po më ecën këtë sezon, ndërsa është e vërtetë që unë kur shënoj, skuadra ecën mirë. Madje, në dy ndeshje kam realizuar dopieta, në Fier dhe me Kukësin. Por, kam shënuar edhe ndaj Kastriotit. Në të tria ndeshjet, fatmirësisht kemi marrë 7 pikë..

Keni një dedikim për golat tuaj?

Po, kam sepse kam dy tifozë shumë të veçantë, janë nipërit e mi, janë ata që më japin më shumë moral dhe të them të drejtën dy nipërit e mi Lorenco dhe Jason janë një motiv shumë i madh për mua. Kështu që meqë kam shënuar dy gola, nga një për secilin. Ata më motivojnë dhe sa herë më shohin më pyesin: “Hë kur do bësh gol?” Janë pika ime e dobët dhe ata më sjellin edhe fat në futboll.

Nipat e Ndreces

Nga Kukësi ka pretendime. Si e komentoni?

Pak i kam parë, por ju e mbani mend edhe në fushën tonë në fazën e parë si fitoi Kukësi këtu, nuk jemi favorizuar nga gjyqtari ne. Kotobelli edhe ndeshjen e parë simuloi, janë pamjet, por shihni numrin e kartonëve tanë dhe Kukësin dhe shihni statistikat sa faulle ka bërë Kukësi. Por, më mirë flasim për futbollin e fushës se nëse duhet të ngremë zërin jemi ne, por nejse…

Edison, çfarë synoni deri në fund të kampionatit?

Të kem formë të mirë, të punoj dhe tashmë që skuadra ka një grup të konsoliduar, pasi edhe afrimet janë bërë një, të ngjitemi më lart. Kemi mundësi, kemi luajtur ndaj ekipeve shumë të fortë si Teuta, Vllaznia e Kukësi dhe kemi marrë maksimumin. Kemi fituar në Fier, por edhe me Skënderbeun, kështu që kam besim se janë mundësitë për më shumë. E radhës, ndeshja me Kastriotin… Do ta vlerësojmë shumë, në maksimum, ne përgatisim dhe fokusohemi te ndeshja e radhës dhe ky është çelësi i suksesit. Synimi janë tri pikët në çdo ndeshje për Bylisin tashmë e deri në fund, ky pushim na vlen që të jemi edhe më të formë deri në fund.

E ardhmja e Ndrecës, çfarë dëshire keni në aspektin personal?

Tashmë jam në kulmin e karrierës, kjo eksperiencë te Bylisi më ka ndihmuar realisht shumë, kështu që synimi im, por edhe familja ime do që unë një ditë të luaj jashtë, mbase kap edhe Kombëtaren. E ndiej se kam shumë për të dhënë, një lëvizje jashtë vendit besoj se do të jetë shumë mirë edhe për të ardhmen time.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"