Ish-trajneri Kalluci “shfryn” ndaj Enea Jorgjit: Luftëtarin duan ta dëmtojnë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 17:21

Ish-trajneri Kalluci “shfryn” ndaj Enea Jorgjit: Luftëtarin duan ta dëmtojnë!

Theodhori Kalluci shfryn ndaj Enea Jorgjit. Ish-trajneri i Luftëtarit e quan absurd faktin që një arbitër me stemën e FIFA-s dëmton në këtë formë një ekip.

Kalluci

“Nuk e kuptoj dot se si ky gjyqtar me ‘spaleta’ të tregohet i njëanshëm. Të gjithë e dimë dhe gjykojmë futbollin që luhet sot. Të penalizosh një skuadër që dikush dëshiron ta quajë të vogël dhe thotë ‘o burra, hajde t’i biem’, të bën të mendosh se Luftëtari është i destinuar për t’u dëmtuar. Në kohën tonë kishte një shprehje: ‘Po të shtypësh arrën bën zhurmë, po të shtypësh fiqtë nuk dëgjohet’. Me këtë dua të them se Luftëtarin sot e shohin lehtësisht të mposhtur dhe aspak të fortë.

Jo, s’është kështu. Ekipin më tepër e kanë penalizuar sesa e kanë favorizuar. Enea Jorgji me gjykimin e tij tregoi më së miri njëanshmëri, me ose pa dashje. Kjo është punë e tij dhe kështu e gjykon. Si s’lejohet të futet në fushë një lojtar kur trajneri kërkon zëvendësim dhe kur bëhet fjalë për minuta shtesë gjyqtari i 4-t ngre gishtat lart dhe akordon minutat shtesë”, tha fillimisht Kalluci për “Panorama Sport”. Pesë penallti të mohuara në 8 javë, konsiderohen vrastare për ish-trajnerin.

“Në gjithë vitet e karrierës futbollistike, vështirë se një penallti e tillë mund të jepet. Ndoshta, sot ligjet dhe rregulloret kanë ndryshuar dhe ne të vjetrit kemi mbetur pas kohe. Açka ishte lojtari i parë që u rrëzua dhe jo Goxhaj. Që këtu më duhet të pohoj me forcën e korrektësisë se nuk kemi të bëjmë me penallti. Nga kjo javë e më tej, lojtarët tanë duhet të vënë më shumë në shërbim të skuadrës pjekurinë dhe profesionalizmin në fushë. Janë të rinj dhe të pa rrahur me ndodhitë e kampionatit shqiptar dhe ndaj duhet të jenë sa më ‘dinak’ në situatat mbrojtëse”, përfundoi Mjeshtri i sportit, i cili gjatë karrierës së tij mes viteve ’65- ’82, ka marrë vetëm një karton të verdhë. Sakaq, skuadra dje ka vijuar përgatitjet dhe grupi i është bashkuar portieri Panajotis Paiteris. Gatishmëria e të cilit do të vendoset sot, ashtu si edhe gjendja e sulmuesi Angelmo Vyent, që dje mungonte sërish.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"