Ish-mesfushori Qazim Buna: Teuta fiton ndaj Vllaznisë, ka mbrojtje më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 21:37

Ish-mesfushori Qazim Buna: Teuta fiton ndaj Vllaznisë, ka mbrojtje më të mirë

Qazim Buna skanon Vllaznia-Teuta. Dhe askush më mirë se ai nuk mund ta bëjë këtë. Karrierën e ka përqendruar në Durrës, ku ka fituar edhe një Kupë të Shqipërisë si lojtar i Teutës.

tEUTA

Ish-mesfushori vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me Kategorinë Superiore dhe mbi të gjitha me ekipin e vendlindjes. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, zbulon se “djemtë e detit” i kanë pasur gjithnjë fat përballjet në “Loro Boriçi” dhe se mund t’i mposhtësh me agresivitet. Ai vlerëson pozitivisht punën që po bëhet nga Bledi Shkëmbi.

Buna, si e shihni ecurinë e ekipit në këto 12 javë kampionat?

Teuta është skuadër e konsoliduar, me elementë të mirë dhe të rinj. Dëshira është shumë e madhe që të kënaqen tifozët, sepse ka shumë pritshmëri ndaj Teutës për një trofe të mundshëm këtë sezon. Dhe këtë herë mund të jenë pranë. Për mua Teuta ka një grup fantastik, i cili po menaxhohet mirë dhe kanë shanse të shkojnë shumë larg. Duhet qëndrueshmëri më e madhe. Në lidhje me rezultatet e fundit, nuk është problem, pasi ka edhe shumë ndeshje deri në fund. Unë pres surpriza.

Teuta ka shënuar vetëm 8 gola në 12 javë. Si e shpjegoni?

Që nuk janë më sulmuesit të cilët shënonin mbi 20 gola, këtë e dimë tashmë. Kështu është kampionati shqiptar… Shoh ekipet kryesore që kanë vështirësi të shënojnë, pasi është rritur edhe ana taktike. Trajnerët punojnë mirë taktikisht dhe kjo i bën mbrojtjet më të mira. Por duhet ta themi se mungon fantazia dhe kreativiteti te të gjitha ekipet, jo vetëm te Teuta.

Ndeshja e radhës do të jetë ndaj Vllaznisë. Si e shihni këtë përballje?

Janë takime që çdo lojtar karikon veten. Ndoshta pa të folur trajneri dhe pa bërë analizën klasike, ke mundësi të futesh në fushë dhe të luash mirë. Këto janë ndeshje ku çdo futbollist kërkon të tregojë vlerat dhe forcën që ka.

Pika më e fortë dhe më e dobët e secilës?

Pika më e fortë për momentin te Teuta është grupi. Një skuadër që mbrohet mirë, por edhe ka individë që dinë të bëjnë diferencën. I tillë është mesfushori Kallaku, që po kalon formë shumë të mirë dhe po e inspiron ekipin drejt suksesit. Kurse Vllaznia ka individët, por në grup s’po punojnë mirë. Gjithsesi, kjo skuadër mbetet e fortë.

Një parashikim për këtë ndeshje?

Unë jam tifoz i Teutës, këtë e them me zë të lartë. Kam respekt të madh për Vllazninë, por dua që të triumfojnë durrsakët. Mendoj se fiton Teuta 0-2.

Duke parë të gjitha skuadrat, mendoni se mund të luftojë Teuta për titull?

Sigurisht që po. Ky ekip është ndërtuar për të rivalizuar nga java e parë në kampionat dhe ka si objektiv titullin kampion. Por, ky trofe nuk mund të arrihet vetëm me fjalë. Teuta duhet të tregojë më të mirën në fushën e lojës dhe vetëm kur të ketë marrë maksimumin nga çdo ndeshje mund të themi se është skuadra kampione e vendit.

Çfarë mendimi keni për punën e trajnerit Bledi Shkëmbi?

Shkëmbi është duke bërë mirë. Është një njeri i mirë dhe një trajner i mirë. Mendoj se shumë shpejt do të jetë ndër trajnerët më të mirë shqiptarë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"