Idrizi: Gjika është pensionist që s’ka ç’të bëjë, skuadra ka mësuar të respektojë fanellën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2017 | 12:35

Idrizi: Gjika është pensionist që s’ka ç’të bëjë, skuadra ka mësuar të respektojë fanellën

Shpëtim Gjika dhe Sinan Idrizi vijojnë “luftën” në distancë. Ish-kryebashkiaku dhe njëkohësisht ish-presidenti i Flamurtarit është aktiv me postimet në rrjetin social “Facebook”, por gjithashtu administratori aktual i klubit kuqezi nuk lë mangët asgjë me shigjetimet që hedh ndaj Gjikës. Ky i fundit ka reaguar në “Facebook” për fitoren e Flamurtarit përballë Teutës në Durrës.

IDRIZI

Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës uron ekipin dhe trajnerin Duro për tri pikët, ndërsa nuk lë pas sugjerimet, batutat dhe ironitë. Ai drejtohet me një pyetje, se cili është më i rëndësishëm: cjapi apo keci?

“Bravo Flamurtari, fitore super e merituar dhe më se dinjitoze. Urime profesor Shpëtim Duro. Ekipi të ndjek dhe të kupton. Profesor i nderuar, ne vlonjatët jemi mendjemëdhenj! Të lutem, vazhdo me filozofinë tënde: punë, punë dhe aspak ose pak reklamë. Dhe që të mos dal nga natyra ime, si polemizues që jam, një pyetje kam: Cili është më i rëndësishëm, Cjapi apo keci?”, shkruante Gjika në “Facebook”.

Nga ana tjetër, administratori Idrizi nuk ka pranuar që t’i përgjigjet direkt pyetjes që kishte shtruar ish-kryebashkiaku, por gjithsesi e ka cilësuar atë si pensionist. “Unë nuk komentoj pensionistët. Jo, as që bëhet fjalë fare. Pensionistët nuk kanë çfarë të bëjnë dhe normal me këto gjëra në ‘Facebook’ do merren. Histori koti, nuk më intereson fare. Kush është ky që komenton? As që e njoh fare”, tha Idrizi.

FLAMURTARI

Administratori i klubit kuqezi komenton edhe ecurinë e Flamurtarit, që vjen pas një fitoreje të madhe në Durrës. Ai është i kënaqur me këtë ekip, që sipas tij bën shumë punë dhe ka pak fjalë.

“Unë dua të them se ekipi është shumë mirë. Është aq mirë, sa nuk ka ku të shkojë më. Ka shumë punë dhe pak fjalë. Kështu le të vazhdojnë. Nëse vijohet me këtë mënyrë, do të jemi shumë më mirë. Djemtë janë profesionistë dhe mbi të gjitha kanë kuptuar atë që unë e kam përsëritur shpesh. Bëhet fjalë për respektimin e fanellës. Nëse respektojnë fanellën dhe i marrin ndeshjet me radhë, çdo objektiv realizohet”, përfundon Idrizi.

Këtë sezon klubi vlonjat ka vendosur si objektiv minimal pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Flamurtari ka dy mundësi ose të kapë vendin e tretë ose të fitojë Kupën e Shqipërisë. Megjithatë, asgjë nuk është e sigurt deri në fund, në një kampionat të paparashikueshëm. Për momentin, në Vlorë i gëzohen startit të mirë të skuadrës, që ka humbur vetëm ndeshjen e parë në Korçë dhe ka marrë dy fitore radhazi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"