I huazuar nga Laçi, rrëfehet “bomberi” i Besës: Në Kavajë po fitoj përvojën e munguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2022 | 18:08

I huazuar nga Laçi, rrëfehet “bomberi” i Besës: Në Kavajë po fitoj përvojën e munguar

I ardhur në trajtë huazimi nga Laçi, Henri Sulovari nuk e pati të lehtë të zinte një vend në formacion. Me kalimin e javëve ama ia doli dhe kjo, falë dëshirës, shpirtit dhe luftës që ai shfaq në fushë. Duke marrë minuta, mesfushori po shfaq edhe një cilësi tjetër: atë të golashënuesit.

sulovari

“Kam gjetur një ambient vërtet dashamirës në Kavajë. E quaj fat faktin që te Besa gjeta shumë futbollistë moshatarë, çfarë ma bën më të lehtë qoftë stërvitjen ashtu edhe lojën. Merremi vesh mjaft mirë dhe harmonia në ekip bën që secili të ndihmohet, motivohet dhe rritet javë pas jave.

Kështu ka ndodhur edhe me mua. Jam i gëzuar që trajneri Bubeqi po më jep besim. Po mundohem ta justifikoj në maksimum me lojën time në çdo ndeshje. Për vetë moshën e re që ekipi ka, edhe kemi gabuar në disa takime. Kemi pasur edhe mungesa kur kemi luajtur pa sulmues fare, si në Fier p.sh.

Kjo, megjithatë, nuk i justifikon kurrsesi rezultatet tona në disa prej tyre. Nuk ka munguar dëshira, por përvoja dhe administrimi i rezultateve. Bie fjala, as në ëndërr s’e kisha besuar se do na mundte Maliqi, ja që ndodhi dhe Bubeqi nuk na la gjë pa thënë.

Kishte të drejtë. Përpara nesh kemi dhe plot sfida të tjera. Objektivi primar, Superiorja nga dy vendet e para, ka ‘vdekur’ dhe tashmë na mbetet vetëm të luajmë për të arritur vendin e 6-të”, tha fieraku për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"