Hyrje e lirë dhe vetëm 200 vetë, por dyndje policësh. Ja pikantet e sfidës Flamurtari-Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 20:21

Hyrje e lirë dhe vetëm 200 vetë, por dyndje policësh. Ja pikantet e sfidës Flamurtari-Teuta

Pas rrebeshit të së dielës, në Vlorë del dielli. Përpara rinisjes së takimit Flamurtari-Teuta, dy punëtorë të fushës kanë parë gjendjen e saj, duke bërë prova me këmbë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes që u luajt në dy ditë.

Teuta-Flamurtari

– Hyrja në stadium ishte e lirë për tifozët. Duke qenë se ndeshja u ndërpre të dielën pas vetëm 8 minutash, drejtuesit kanë menduar që 81 minutat e mbetura ta lënë të lirë hyrjen në stadium. Rreth 200 tifozë e kanë ndjekur takimin. Përveç atyre që kishin marrë biletë të dielën, pjesa tjetër e kanë shijuar falas.

– Gjyqtari Emirjon Sino, sapo del në fushë me ekipet, shmang rreshtimin klasik. Fillimisht mendon që të bëjë një provë të terrenit me top, ndaj e hedh në drejtim të portës së Moçkës. Pasi bindet se gjithçka është në rregull, lejon rifillimin e takimit në minutën që u ndal.

– Një episod jo i këndshëm i ndodhi gjyqtarit Sino kur pritej të fillonte takimi. Ai nuk kishte bateri te kufjet dhe thërret për ndihmë anësorin Grabova, i cili e zgjidh. Ky moment nuk është lënë pa batutë nga tifozët. “Hajd, të blejmë ne bateri”. Por, anësori i rregullon Sinos edhe mëngën e bluzës që ishte e çrregullt.

– Administratori Sinan Idrizi e ndoqi ndeshjen në tribunën VIP, në krah të presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu.

– Ekipi durrsak mbërriti dje 1 orë e 30 minuta para nisjes së takimit. Në 10:30, autobusi u parkua para stadiumit. Të dyja ekipet dolën për nxehmje, ndërsa vlen të theksohet se Teuta qëndroi dy net në Vlorë.

– Tre policë rrethojnë pankinat, ndërsa uniforma blu kishte edhe në tribuna. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, ky takim pati prani më të shtuar të policisë, si jashtë ashtu edhe brenda stadiumit, duke qenë me dyer të hapura. Në pjesën e dytë dhjetëra policë mësyjnë në tribunën qendrore.

– Tabela elektronike që tregon minutat dhe rezultatin vijon të mos punojë në Vlorë.

– Fusha krijon sërish probleme gjatë lojës. Bari ikën në disa vende dhe del balta. Kjo u kuptua qartazi te fanellat e bardha të durrsakëve, të cilat u nxinë.

Flamurtari-Teuta

– Shkalla e rrëzuar në një nga kullat e ndriçimit ishte në të njëjtin vend si një ditë më herët. Ajo ishte në të njëjtën gjendje dhe askush s’e kishte marrë mundimin ta ndreqte.

– Tifozët e Flamurtarit, protestë pas golit të parë të Teutës, duke dyshuar se erdhi nga një pozicion jashtë loje.

– Një tifoz i flet Birçes nga tribuna në minutat e para të takimit, duke i thënë: “Foli arbitrit”. Por trajneri i kthehet, duke i kërkuar që të pushojë.

– Birçe dhe Martini ishin në këmbë gjatë gjithë kohës, duke u dhënë udhëzime lojtarëve.

– Andi Ribaj nuk feston kur shënon në fund të takimit.

– Sapo fillon shiu në pjesën e dytë të ndeshjes, tifozët e vendosur në tribunat A dhe B largohen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"