Histori suksesi edhe në… varfëri. Apolonia thyen të gjitha parashikimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 21:49

Histori suksesi edhe në… varfëri. Apolonia thyen të gjitha parashikimet

Nuk është e tepërt që herë pas here t’i kthehesh gjuhës së statistikave sepse janë faktet më kokëforte në çdo nivel analize. Kësisoj, Apolonia e këtij sezoni është më e avancuar se skuadra e sezonit të kaluar, dëshmuar nga treguesit përkatës. Pa kaluar në komente të tepërta, Apolonia e këtij kampionati ka 9 pikë më tepër se ajo e vjetshmja dhe 3 shkallë më lart në renditje pas fazës së dytë, hapë- sirë gjer ku shtrihet analiza jonë.

Përtej kësaj, kjo skuadër është pjesë e grupit të parë, ndryshe nga viti i kaluar, ku Apolonia pas fazës së dytë u përfshi në luftën e mbijetesës. Dhe Apolonia e këtij sezoni e ka arritur gjithçka mes mosbesimit, mospërkrahjes në stadium nga publiku, deklarimeve me aq bindje nga specialistët sportivë, sidomos ata fierakë, që kjo skuadër do të rrezikonte për të rënë në Kategorinë e Dytë. Po, po, për këtë skuadër që sot është në vend të tretë! Por, kjo skuadër u ngrit mbi gjithçka: përtej paragjykimeve, përtej mospagesës, përtej zemëratës dhe braktisjes së tifozëve që e duan me shpirt skuadrën, por që nuk pajtohen me politikat aq të ngushta ekonomikisht të kreut të klubit.

apoloniaa

NDËRTHURJA E BREZAVE

Një ekip me breza të ndryshëm lojtarësh, ku dominon elementi i ri. Në skuadër ka në statusin e pashpallur “senator” futbollistë të tillë, si: Dimo, Hysenshahaj, Broshka dhe Çako, për shkak jo thjesht të moshës, por të përvojës disavjeçare tek Apolonia. Një grupim i dytë përbëhet nga lojtarë të tillë, si: Braka, Andoni dhe Kondakçiu, që janë në “brezin e ndërmjetëm”, të gatshëm për të qenë pjesë e grupit të Dimos&CO, sepse përvoja i ndihmon. Dhe pjesa tjetër është elementi më interesant, atje ku observatorët e futbollit kanë se çfarë të zbulojnë.

Dhe Apolonia, e theksojmë, kjo skuadër e kaqpakpaguar, prodhon talente. “Etalon” i produktit me këtë emër është Odise Roshi, numri 21 i kuqezinjve të Shqipërisë, por edhe të tjerë të mëvonshëm, dalë ose jo nga akademia fierake, por që tek Apolonia kanë pasur shpërthimin e parë futbollistik, trampolinën për arritjet e tjera të suksesshme në karrierën e tyre. Listë e gjatë, por vlejnë të evidentohen: Realdo Fili, nga Apolonia te Partizani e sot te Kamza; Sodiq Atanda, nigeriani anonim ardhur në moshë 19-vjeçare tek Apolonia, prej nga fitoi një vend në kombëtaren U-23 të Nigerisë e prej vitit 2015 është pjesë e Partizanit;

Myrto Uzuni, ardhur nga Berati me përkufizimin ‘mund të bëhet talent’, i shndërruar në një goleador vrasës në Fier dhe tani është një nga dy shënuesit më të mirë të Laçit të vendit të tretë të Superligës; Blerim Krasniqi, sulmuesi aq modest e po aq punëtor, që jo më kot u përzgjodh nga Skënderbeu. Cili është ‘i piketuari’ i radhës? Ai quhet Redion Mihana, 7 gola për Apoloninë, i evidentuar dhe nga Bogdani te Kombëtarja U-19, sulmuesi që bëri “të harrohet” Krasniqi në Fier. Tek Apolonia është pjesë e ekipit të parë dhe një sulmues 17-vjeçar, Mario Gjata.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"