“Hijet” e rënies nga kategoria shfaqen sërish, Elbasani ka arsye të besojë te shpëtimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 22:02

“Hijet” e rënies nga kategoria shfaqen sërish, Elbasani ka arsye të besojë te shpëtimi

Elbasani ashtu si në sezonet e fundit, edhe këtë vit nuk e shmangu dot zonën “play out”. Problemet financiare dhe për më tepër ato të aksioneve, kanë bërë që ekipi të mos e ngrejë dot kokën. Dhe nuk po flasim për të pretenduar majat, por të paktën të mos diskutojnë qëndrimin në të Parën. Edhe këtë vit “ethet” e rënies në Kategorinë e Dytë janë prezente.

Labinoti-Elbasani-3

Gjërat duken vërtet të vështira, ndonëse është një “film” i parë për verdheblutë, të cilët janë mësuar dhe mund të thuhet se janë bërë ekspertë të këtyre situatave. Të paktën, këtë thonë statistikat.

 “Panorama Sport” bën një hulumtim të katër sezoneve të fundit që skuadra ka milituar në Kategorinë e Parë dhe që objektiv ka pasur thjesht mbijetesën. Herë ia ka dalë dhe herë jo, por gjithnjë ka qenë në “valle” deri në fund. Për t’i marrë me radhë sezonet, në 18 ndeshjet e para nuk ka bërë asnjëherë mirë, por ia ka dalë të shpëtojë atëherë kur ka marrë sa më pak pikë.

Për ta nisur nga sezoni 2015-2016, pas 18 ndeshjesh elbasanasit kishin grumbulluar vetëm 13 pikë dhe kur të gjithë mendonin se nuk do të kishte asnjë shans për të mbijetuar, ia hedhin paq.

Në sezonin 2016-2017 mblidhnin 16 pikë të konsiderueshme duke ditur sa merrnin verdheblutë këto javë. Por, në fund nuk shpëtojnë dot, pasi u mundën në ndeshjen e fundit me Sopotin kur u duhej vetëm një barazim. Sezonin e kaluar elbasanasit kishin vetëm 12 pikë dhe për habi të të gjithëve mbijetuan, ndonëse me anë të një “play out”-i ndaj Luzit 2008 (duke fituar pastër 3 me 0). Pra, në tri vite sezonet e fundit elbasanasit në një rast shpëtuan direkt, një herë në “play out” dhe një herë ranë nga kategoria.

Po këtë sezon? Sipas statistikave, ekipi duhet të shpëtojë, madje në mënyrë direkte. Këtë e thonë shifrat, sepse pas 18 javësh, ekipi ka 13 pikë, po aq sa në sezonin 2015- 2016, kur mbijetuan pa ndihmën e një ndeshjeje shtesë. Sigurisht, bëhet fjalë thjesht për statistika, pasi këtë sezon duket se gjërat nuk janë aq të thjeshta, por Elbasani na ka mësuar që të surprizojë edhe atëherë kur askush nuk e pret.

elbasani

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"