Haxhiu jashtë, Ahmataj “përkëdhel” Tiranën para duelit me “macen e zezë” të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 8, 2024 | 9:07

Haxhiu jashtë, Ahmataj “përkëdhel” Tiranën para duelit me “macen e zezë” të sezonit

Tirana përgatitet për Erzenin me qëllimin fitimin e ndeshjes. Atmosfera në kampin bardheblu ka qenë perfekte. Pas një mbledhjeje të gjatë me Ahmatajn, grupi ka dalë në fushën me bar sintetik në “Skënder Halili”.

tirana

Ajo që ra në sy ishte se trajneri takoi, përqafoi apo bisedoi me shumë nga lojtarët. Abazaj u mor më shumë me Muçollarin dhe më pas nisi stërvitje. Ekipi veç forcës u mundua që të rregullonte shënjestrën para portës, ndërsa në fund si zakonisht ndeshja mes dy grupeve.

MUNGESAT – Gjatë stërvitjes së djeshme ra në sy shumë mungesa e Rimal Haxhiut. Lojtari ishte i ngarkuar dhe nuk u stërvit me bardheblutë. Të shohim nëse ai do të luajë nga minuta e parë në këtë sfidë. Julian Ahmataj pritet të luajë me tre mbrojtës në këtë sfidë. Kështu, nga minuta e parë do të aktivizohen Abdullahu, më pas Lulaj, Najdovski dhe Hoxhallari. Në krahun e djathtë të mesfushës janë Haxhiu ose Patrik nëse lojtari nuk ia del, Meta, Deliu Jonuzi ose Lushkja dhe Përgjoni majtas. Në sulm do të luajë dyshja Abazaj-Latifi.

Skuadra ka edhe frymëmarrje në stol. Dy janë lojtarët që rrezikojnë derbin me Partizanin për çështje kartonësh. I pari është Ardit Deliu dhe i dyti Rimal Haxhiu. Të dy lojtarët janë shumë të rëndësishëm për Ahmatajn. Ata kanë nga tre kartonë dhe nëse ndëshkohen edhe në sfidën me Erzenin, do të humbasin takimin ndaj Partizanit. Të dy futbollistët janë të rëndësishëm për ekipin bardheblu. Aktualisht bardheblutë rrezikojnë vendin e katërt, dhe u duhen me doemos pikët në ndeshjen me Erzenin, por edhe në derbi.

PËRBALLJET – Ekipi i Erzenit, këtë sezon është skuadra që e ka bërë ekipin bardheblu për “ujë të ftohtë”. Për statistikë, Tirana në dy takimet që ka luajtur me Erzenin është mundur dy herë. Një situatë e sikletshme për bardheblutë. Në këto kushte, Tiranës i duhet që të fitojë me Erzenin. Në 14 takime sezonet e fundit, Tirana ka triumfuar në 11 ndeshje, ndërsa tri të tjera janë mbyllur me fitoren e Erzenit. Skuadrat nuk kanë dalë asnjëherë barazim. Për t’u shënuar janë edhe 28 golat e Tiranës dhe nëntë të Erzenit.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"