Goditje dyshe e Lushnjës, rikthehet sulmuesi. Nën urdhrat e Gjylës edhe mesfushori rrogozhinas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2019 | 9:40

Goditje dyshe e Lushnjës, rikthehet sulmuesi. Nën urdhrat e Gjylës edhe mesfushori rrogozhinas

Dy firma të tjera te Lushnja. Pas Arbër Mones, i cili firmosi të enjten, drejtuesit e klubit lushnjar kanë mbyllur marrëveshjen edhe me Mikel Cankën dhe Beqir Ibrahimllarin, të dy pjesë e Egnatias sezonin e kaluar.

67925405_3804665099547375_1075174371686875136_n

Duket se drejtuesit e Lushnjës po e bastisin Egnatian. Të dy këta futbollistë kanë firmosur dje kontratën njëvjeçare dhe janë prezantuar nga sekretari i klubit, Edison Koçi. Plotësohet kështu organika e Lushnjës, por merkatoja ende nuk është mbyllur.

CANKA – Mikel Canka u largua nga Lushnja pas rënies së saj nga Superiorja dhe tashmë rikthehet me misionin për ta çuar sërish në këtë kategori. Futbollisti 32- vjeçar është paraqitur dje në zyrat e klubit verdhejeshil dhe ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, siç kanë bërë të gjithë të tjerët.

“Kemi rënë dakord për gjithçka dhe kam firmosur kontratën me Lushnjën. Shpresoj të shkojë mbarë gjithçka”, është shprehur Canka për “Panorama Sport”. Sulmuesi lushnjar i është bashkuar skuadrës në stërvitje, duke nisur një tjetër rrugëtim te Lushnja. Tashmë dyshja e sulmit të Lushnjës do të përbëhet nga dy emra të njohur, Fatjon Sefa dhe Mikel Canka.

“Jam shumë i kënaqur që do të jem pjesë e Lushnjës për kampionatin e ri. Është një skuadër pretendente dhe me ambicie për Superioren. Rikthehem dhe gjej partner të sulmit një kampion të madh si Sefa, por edhe shumë shokë të tjerë. Mbi të gjitha, rigjej tifozërinë e Lushnjës, që e kam në zemër”, deklaroi më tej Canka. Sulmuesi i njohur rikthehet pas një viti te Lushnja. Sezonin e kaluar ai ishte pjesë e Egnatias fqinje, ndërkohë që në karrierën e tij ka luajtur edhe për Apoloninë e Luftëtarin. Me këtë lëvizje, Lushnja përforcohet në sulm, por nuk është çudi të ketë edhe ndonjë goditje tjetër për ofensivën. Me skuadrën myzeqare ka kohë që stërvitet edhe sulmuesi tjetër lushnjar, Brunild Pepa, por deri tani nuk ka pasur ndonjë akord mes palëve për bashkëpunim.

IBRAHIMLLARI – Rrogozhinasi Beqir Ibrahimllari është një tjetër lojtar që i është bashkuar dje Lushnjës zyrtarisht. Mesfushori 27-vjeçar firmosi kontratën 1-vjeçare me klubin verdhejeshil dhe është gati për trajnerin Ilir Gjyla. Më parë ka luajtur për Sukthin, Kamzën, Burrelin dhe Egnatian.

Pozicioni i tij është mesfushor qendre, por luan edhe si qendërmbrojtës, aty ku skuadra verdhejeshile ka pasur më shumë nevojë për përforcime. “Jam shumë i lumtur që do të luaj me një skuadër si Lushnja, që pretendon Superioren”, tha shkurt Ibrahimllari për gazetën. Ai dhe mbrojtësi Brahimaj e veshin për herë të parë fanellën verdhejeshile.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"