Gjyla “shfryn” ndaj kryesorit Ardian Beqiri: Gjyqtari u tall, e dimë që do të hyjë Apolonia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2020 | 14:32

Gjyla “shfryn” ndaj kryesorit Ardian Beqiri: Gjyqtari u tall, e dimë që do të hyjë Apolonia…

Pas humbjes në Pogradec, Lushnja ka lëshuar terren për kreun. Verdhejeshilët kontestuan gjykimin pas asaj transferte, e megjithatë për Ilir Gjylën problemi nuk qëndron vetëm tek ai gol “fantazmë”. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri hapur e thotë që kryesori Ardian Beqiri u tall me ta për 90 minuta lojë.

gjyla

KONTESTIMI PËR GJYKIMIN

Tekniku saktëson se lojtarët kanë pjekurinë e duhur për të mos u ngarkuar psikologjikisht pas asaj që ngjau në “Gjorgji Kyçyku”. “Me moshën që kanë futbollistët tanë, nuk mendoj se do të kenë ndonjë ngarkesë të madhe psikologjike. Aq më tepër që Lushnjës nuk i ndodhin për herë të parë këto gjëra. Ka dy vjet rresht që këtë punë na bëjnë. Edhe vitin e kaluar, edhe këtë sezon. Nuk e mendoj se do të kemi ndonjë ngarkesë të madhe psikologjike. Edhe nëse ka, do ta kalojmë shumë lehtë, edhe pse ndeshja që kaluam ishte për t’u pasur ngarkesë psikologjike. Shoh që ndeshjen tonë e kanalizojnë vetëm me episodin e minutës së 95-të. Me atë ‘ishte gol, nuk ishte gol’. Pak rëndësi ka kjo për mua, ishte apo jo, sepse gjyqtarët mund të thonë pa diskutim… madje kanë filluar t’ia hedhin topin njëritjetrit. Njëri thotë ‘anësori’, tjetri thotë ‘kryesori’. Edhe vetë arbitri më tha mua ‘Nuk e jap unë atë gol, e jep anësori’. Ndërkohë, që nga pamjet duket qartë se kryesori është vetëm 10 hapa larg episodit, kur topi e kaloi dukshëm vijën e portës. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi kjo. Mua më intereson loja që nga minuta e parë. Mezini del që nga vija e dytë, ndërhyhet për penallti. Arbitri i thotë anësorit ‘Ngri flamurin’ për pozicion jashtë loje. Ka dhe një rast tjetër pas golit tonë të parë, mund të shkonte 2- 2. Ka një rast për penallti në favor të Bazes. Origjinal si penalltia që iu dha Pogradecit. Nuk duhet analizuar vetëm goli i mosdhënë. Lushnja nuk bëri vetëm episodin e golit të dytë. Kishte disa raste të tjera. Kryesorja është që të frenon gjyqtari, nga fillimi deri në fund, dhe arbitri e ka frenuar 100% Lushnjën që nga minuta e parë deri në minutën e 90-të. Edhe është tallur. E jepte faullin për Lushnjën, pastaj e kthente për Pogradecin. Është tallur dhe ka qeshur. Edhe te goli që nuk u dha i ka thënë futbollistin tim ‘Nuk dua ta jap, nuk më do qejfi’. Janë shumë gjëra bashkë që e bëjnë situatën të ngarkuar. Nuk është vetëm goli i mosdhënë në fund. Kjo është vazhdë, pasi ka ndodhur edhe në Shënkoll apo Orikum”, është shprehur fillimisht Ilir Gjyla.

Lushnja

“KUNJI” PËR NGJITJEN

Pas pushimit të ditës së hënë, lushnjarët nisën përgatitjet për transfertën me Turbinën. Trajneri tha se do të japin maksimumin deri në fund, ndonëse kanë dijeni se Apolonia do të hyjë në Kategorinë Superiore. “Megjithatë, ta lëmë prapa këtë. Të shikojmë pjesën tjetër, atë që do të vijë. Ne do të vazhdojmë të luajmë deri në fund. Si të duan ta kenë arbitrat, si të duan ta bëjnë. Unë do të kërkoj nga futbollistët të japin maksimumin deri në fund të kampionatit. Edhe pse e dimë që do të hyjë Apolonia në Superiore, ne do të japim maksimumin deri në fund të kampionatit”, përfundoi tekniku i verdhejeshilëve.

ALBAN ALUSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"