Gjici: Na ka penalizuar dëmtimi i Shametit, trajneri ka shumë punë për të lidhur sulmuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2017 | 9:38

Gjici: Na ka penalizuar dëmtimi i Shametit, trajneri ka shumë punë për të lidhur sulmuesit

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, është shumë i lidhur me ekipin, kështu që gjithnjë ai mundohet të jetë pranë lojtarëve dhe stafit, në mënyrë që të mos u mungojë asgjë. Gjici është i mirinformuar për çdo lëvizje dhe situatë që ndodh në klub, kjo edhe nga kontakti i përditshëm që ka me drejtuesit dhe stafin, por edhe ekipin.

gjici

Në ndeshjen e fundit me Lushnjën, presidenti “shkundi” lojtarët në mes të dy pjesëve në dhomat e zhveshjes, gjë e cila solli edhe ndryshimin me golat e Gurit dhe Alijevit. Mbas ndeshjes me Lushnjën, presidenti Gjici ka parë nga afër gjendjen e disa lojtarëve, ku Musolli luajti i sëmurë.

Edhe pse Gjici foli për mediat në përfundim të ndeshjes, më pas ai foli hapur për problematikat e ekipit, për mungesën mjaft të rëndësishme të Shametit, që i prish shumë punë trajnerit dhe skuadrës sa i përket sektorit të mbrojtjes, për gjendjen jo të mirë të sulmuesve si Alijev, që nuk është lidhur akoma me pjesën tjetër të sulmit.

Në një video që qarkullon në internet, e postuar nga një mik i Gjicit, presidenti zhvillon një bashkëbisedim me një gazetar të njohur sportiv të Kukësit, tashmë në pension, Zylfi Tola. Gjici flet “pa doreza” në këtë video të publikuar, por njëkohësisht dëgjon edhe mendimet e vyera të gazetarin Tola, në lidhje me ekipin kuksian, por dhe për rivalët e kampionëve në fuqi.

RRËFIMI I GJICIT

“Kemi pasur shumë mungesa, mungesa kryesore e jona ka qenë qendërmbrojtësi Shameti, i cili ka prishur gjithë skemën e mbrojtjes. Kemi pasur dhe disa lojtarë të tjerë, edhe Musolli luajti i sëmurë, shumë i sëmurë dhe e verifikova kur i takova në pushim të ndeshjes. Megjithatë, trajnerit i del punë që të bëjë më shumë lojë sulmi, por duke kombinuar sulmues me sulmues, akoma nuk janë lidhur lojtarët.

Spikat Alijev, që nuk është lidhur akoma me pjesën tjetër të ekipit, ka humbur shumë raste, jo vetëm në këtë ndeshje, por dhe në takime të tjera. Kështu që trajneri ka shumë punë, që skemat e tij të përshtaten te lojtarët”, i tha fillimisht Gjici gazetarit Tola. Ndërsa palët flasin edhe për ndërtimin e stadiumit të ri, që Kukësi ka marrë një projekt. “Ata elementë që nuk duan ndërtimin e këtij stadiumi dhe janë dashakeqë, nuk janë kuksianë”, deklaroi presidenti Gjici.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"