“Gjeneralët do ta kërkojnë Vlorën, nuk kthej hajdut xhepash”, Idrizi: Kjo kategori, më e organizuar se Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2021 | 14:31

“Gjeneralët do ta kërkojnë Vlorën, nuk kthej hajdut xhepash”, Idrizi: Kjo kategori, më e organizuar se Superiorja

Sinan Idrizi zbulon se objektivat e Flamur tarit janë më shumë se rikthimi në elitë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, administratori evidenton se ekipi nuk ka rivalë dhe ngjitja është vetëm një formalitet. Ironi apo e vërtetë, numri një i klubit mendon se Kategoria e Dytë është e organizuar më mirë se Kategoria Superiorja. Nuk kishte si të mos fliste edhe për merkaton, meqenëse janari po afron. Paralajmëron se do të marrë vlonjatë, por jo ata që braktisën skuadrën në momentin më të vështirë.

IDRIZI

Idrizi, a është ky Flamurtari që doni?

Patjetër që po. Më bindin shumë këta djem. Unë skuadrën nuk e njoh. Por më bindin këta djem me karakter 10.

Fitore edhe në moçal. U ndiet keq që këtë infrastrukturë e hasët edhe në Gjirokastër?

Nga të gjitha skuadrat e Kategorisë së Dytë ku ne kemi shkuar, Gjirokastra ka fushën më të mirë. Më vjen keq që ishte mot i keq me shi, me intensitet të lartë dhe që solli edhe atë gjendje të fushës Unë për arsye pune kam qenë jashtë vendit dhe nuk isha i pranishëm në stadium. Por, po të ishin kushte të tjera, do të kishit parë një ndeshje spektakël, të nivelit të Kategorisë Superiore.

Përmendni shpesh vitin 2023, doni të thoni që do të konkurroni në Superiore?

Ky Flamurtar nuk ka vetëm objektiv Superioren. Ka edhe shumë synime të tjera. Ngjitja është një nga ato të shumtat që kemi.

Cilën skuadër shikoni rivale në këtë garë?

Rivalë? (qesh) Flamurtari rival ka vetëm veten.

Keni frikë nga gjykimi i ndeshjeve?

Gjykimi nuk ka pasur gjëra ekstreme. Normalisht që gabime njerëzore ka, por dua të them se kjo kategori ka organizim më të mirë nga Superiorja. Kanë më tepër korrektësi, por të mos i hamë me sy.

Do të ketë përforcime në janar Flamurtari?

Kemi problemin e lojtarëve jashtë rrethit, pasi kemi mbushur limitet. Jam në kontakte me disa djem vlonjatë që luajnë jashtë qytetit, por jo me ata që kanë qenë dikur te Flamurtari. Janë sjellë më shumë se vlonjatë ata që nuk kanë qenë nga Vlora, si Vucaj, Batha, Koliqi e të tjerë. Asnjë vlonjat nuk e bëri kur klubi ishte në vështirësi. Flamurtari është një klub që u ka rritur vlerën në treg, por ata nuk ishin mirënjohës. Një djalë i vogël nga Vlora bëri mashtrimin më të madh, mashtroi me firmën. Nuk është normale të ikësh si hajdut xhepash.

Për kë e keni fjalën?

Nuk kanë shanse që këta të kthehen më në Vlorë. Nuk është e largët dita dhe do ta kërkoni Vlorën gjeneral. Më kanë shkruar nja dy, duan të vijnë. S’u kam kthyer përgjigje, por po ua jap tani: “Nuk ka shanse!”

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"