Gega fsheh formacionin, goli pritet nga goditjet standarde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 12:40

Gega fsheh formacionin, goli pritet nga goditjet standarde

Partizani u kthye sërish në Elbasan pranë kompleksit “Pepa” për të kryer seancën stërvitore para sfidës me Flamurtarin, teksa mungesa e vetme për këtë sfidë pritet të jetë Hebaj, i cili kreu vrapime të lehta përreth fushës. Gjasat janë që shkodrani ta nisë nga stoli, por nuk përjashtohen surprizat që Hebaj ta nisë nga minuta e parë.

gega

Në lidhje me formacionin, Gega u përpoq ta mbajë të fshehtë dhe provoi disa mënyra loje, ajo e mbrojtjes me tre, por që ka pak gjasa që të luajë kështu në sfidën me vlonjatët. Goditjet standarde shihen si mundësia më e mirë që të kuqtë të shkojnë te goli, pasi u provuan në fund të stërvitjes nga Gega, me lojtarët që i marrin përsipër të tilla goditje.

gega (1)

FORMACIONI – Gega është munduar që ta “fshehë” formacionin për sfidën me vlonjatët, duke mos e provuar 11-shen e titullarëve në seancën e djeshme stërvitore dhe duke ngatërruar në njëfarë mënyre lojtarët me njëri-tjetrin. Tekniku i të kuqve provoi mbrojtjen me tre lojtarë, me Gojkovic, Belicën dhe Ibrahimin në njërin ekip dhe Kalarin, Atandën dhe Bitrin në skuadrën tjetër. Gjithsesi, sipas të gjitha gjasave, nuk do të luhet me tre mbrojtës, por me katër, duke mos ndryshuar në krahasim me sfidat e tjera të këtij sezoni. Të njëjtën ndarje Gega bëri edhe për sa i përket repartit të mesit të fushës, teksa Telushi me Trashin u provua në njërin ekip, së bashku me koreano-veriorin, ndërsa Hila me mesfushorët e tjerë bënin pjesë në skuadrën tjetër. Në lidhje me sulmin, Bardhi u provua në majë të tij, i ndihmuar në krahë nga Mensah. Në pamje të parë Gega nuk la asgjë të zbulohej, edhe pse nuk mund të thuhet që nuk do të ketë surpriza ndaj Flamurtarit.

Partizani

SULMI – Pritet që meraku më i madh i Gegës të jetë sulmi, pasi aty skuadra ka çaluar pak dhe kërkohet më shumë efikasitet në repartin e avancuar. Për këtë arsye, tekniku i të kuqve thirri në “apel” lojtarët e ofensivës me radhë, duke u dhënë direktiva të veçanta. Fillimisht e nisi me mesin e fushës, me Hilën, Bardhin, Telushin, Asanin, Malën dhe Mensah, duke u shpjeguar skemat gjatë lojës. Në apel u thirr edhe Ibrahimi në mbrojtje, duke lënë të kuptohet që këta futbollistë do ta nisin nga minuta e parë ndaj vlonjatëve.

GODITJET STANDARDE – Në përfundim të seancës stërvitore, Gega kërkoi nga të tijtë që të provonin disa topa nga goditjet e këndit, duke shpresuar që skuadra ta gjejë rrugën e rrjetës edhe në këtë mënyrë. Më pas, gjuajtësit më të mirë të goditjeve standarde provuan drejt portës. Mbetet për t’u parë nëse goli do të vijë nga goditjet e ndaluara nga ana e të kuqve në këtë përballje.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"