“Gabuam ndaj Tërbunit, fokusi te dy ndeshjet e javës”, sulmuesi Krasniqi: Tani vjen kthesa, Apolonia e realizon objektivin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2021 | 17:39

“Gabuam ndaj Tërbunit, fokusi te dy ndeshjet e javës”, sulmuesi Krasniqi: Tani vjen kthesa, Apolonia e realizon objektivin

Apolonia e ka shfrytëzuar maksimalisht ndërprerjen e kampionatit në funksion të dy ndeshjeve të kësaj jave. Fillimisht në mesjavë luajnë Kupën me Flamurtarin, ku përballja e parë ka përfunduar në barazim 1-1, ndërkohë që në fundjavë ekipi do të udhëtojë drejt Beratit për ndeshjen e kampionatit ndaj Tomorit.

Krasniqi

Sulmuesi Jeton Krasniqi, për “Panorama Sport” shprehet i bindur se Apolonia do të rikuperojë shumë pikë pas ndërprerjes së kampionatit, ku fokusi është te dy ndeshjet e javës ndaj Flamurtarit, ku kërkohet kualifikimi dhe në transfertë ndaj Tomorit për të lënë pas humbjen në shtëpi ndaj Tërbunit.

A e shihni si një hap prapa humbjen e fundit në shtëpi me Tërbunin?

Jo, nuk e shoh si një hap pas për luftën e kreut të tabelës. Kampionatin e kemi përpara dhe besoj se ekipi do t’ia dalë në javët e ardhshme. Po punojmë shumë për të përmirësuar lojën tonë në mënyrë që të marrim rezultatet e dëshiruara.

Çfarë nuk shkoi mirë në takimin e fundjavës ndaj Tërbunit?

Ishte një ndeshje e mirë dhe e luftuar nga ana jonë. Zhvilluam një lojë shumë të mirë. Krijuam shumë raste për shënim, por fati nuk ishte me ne. Në pjesën e dytë kemi pasur raste të pastra për shënim, por nuk ishim të saktë në finalizim. Ama një gabim i yni në minutat e fundit bëri që pukjanët të na ndëshkonin duke marrë fitoren në shtëpinë tonë.

Si është atmosfera në kampin fierak pas katër javëve të para?

Jemi të bashkuar dhe më të motivuar për të vazhduar punën e nisur që në fillim të kampionatit. Kemi lojtarë të rinj mjaft të talentuar që e njohin mirë njëri-tjetrin dhe japin më të mirën në fushën e blertë. Si një grup i organizuar do të bëjmë më mirë në javët e ardhshme.

Çfarë duhet të përmirësojë Apolonia në javët e ardhshme?

Për të arritur objektivat duhet të punojmë më fort në vazhdimësi dhe të japim më të mirën tonë në çdo ndeshje. Ne i kemi mundësitë për rezultate pozitive dhe e dimë mirë që ka vend për përmirësim në lojën tonë. Vlerësojmë dhe punojmë çdo ditë me trajnerin tonë, i cili na ndihmon të rritemi çdo ditë e më shumë. Fokusi është te dy ndeshjet e radhës, Flamurtari në Kupë dhe Tomori, që duhet t’i kalojmë me sukses.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"