FUTBOLL FEMRA/ Vllaznia merr e vetme kreun, Apolonia leksion Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 13:22

FUTBOLL FEMRA/ Vllaznia merr e vetme kreun, Apolonia leksion Tiranës

Kampionati kombëtar i futbollit për femra ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së 12-të, një javë që dhuroi rezultate interesante, ndërsa si gjithnjë nuk munguan goleadat dhe rezultatet dyshifrore.

apolonia femra

Apolonia fitoi kryendeshjen ndaj Tiranës, ndërsa Vllaznia përfitoi më së miri nga ndalesa e vajzave bardheblu, duke marrë e vetme kreun. Partizani u tregua i papërmbajtshëm ndaj Skënderbeut, duke e tundur plot 24 herë rrjetën e portës korçare, ndërsa Laçi dhe Kinostudio u ndanë në paqe. Lushnja mori suksesin e dytë sezonal duke mundur në shtëpi Teutën.

SHKËLQEJNË FIERAKET – Apolonia fitoi kryendeshjen e javës së 12-të, teksa likuidoi Tiranën me rezultatin 3-0. Fieraket nuk falën në shtëpinë e tyre, duke u shfaqur dominuese ndaj vajzave bardheblu. Protagonistja kryesore e triumfit ishte e zakonshmja Valentina Troka, e cila i zhbllokoi shifrat që në minutën e 3-të. Më pas me një asit mjeshtëror me finte, shërbeu Hamonikajn për golin e dytë në të 20-ën, ndërsa i mbylli llogaritë vetë në minutën e 50- të, duke kompletuar dopietën personale, për të vulosur suksesin 3-0 të Apolonisë, me fierakët që tashmë ngjiten në vend të dytë falë golavarazhit më të mirë se Tirana. Ndërkohë Troka duket se po marshon e sigurt drejt “kurorës” së dytë radhazi si golashënuesja më e kampionatit. Tashmë Troka ka shkuar në kuotën e 46 golave, vetëm 3 më pak se Megi Doçi. Kjo e fundit gjeti golin e parë këtë fundjavë me Gallatasarajin pas shtatë ndeshjes që prej transferimit në Turqi. Doçi realizoi me penallti golin e parë të takimit në fitoren 1-3 që skuadra e saj arriti në transfertë ndaj Atasehir.

AP

KAMPIONET ARGËTOHEN ME GRAMSHIN – Vllaznia ka përfituar më së miri nga hapi fals i Tiranës, duke u ngjitur e vetme në vendin e parë. Vajzat kuqeblu shpërthyen me rezultatin 0-12 në transfertë kundër Gramshit. Një dominim absolut nga shkodranet, ku spikatën Franja me tripletë, si dhe Borçi, Shala e Berisha me nga një dopietë secila. Emrin në listën e golashënueseve e vendosën edhe Yamada, Gjini dhe Ramadani. Kjo ishte fitorja e 11-të në kampionat për Vllazninë, ndërsa vajzat kuqeblu prej vitesh mbeten të pamposhtura në fushë.

VLL

PARTIZANI, 24 GOLA SKËNDERBEUT – Partizani ka shënuar një fitore të jashtëzakonshme kundër Skënderbeut. Të kuqet e trajneres Aurora Seranaj triumfuan me rezultatin 24-0, ku plot 10 gola u shënuan nga Begallo. Egzona Gashi realizoi 4 herë, tripletë për Locin, ndërsa Xheçi, Goro dhe Koka regjistruan dopieta, si dhe një gol mban firmën e Liridona Gashit. Një sukses me vlera për zonën “play off” për Partizanin, që përfiton nga ndalesa e Kinostudios.

PA

Vajzat e trajnerit Gëzim Gjonpalaj barazuan 2-2 në transfertë ndaj Laçit. Kryeqytetaset ishin dy herë në avantazh me golat nga Doçe e Baftia, por nuk mundën që ta mbanin epërsinë, teksa për Laçin spikati Stalaj me dopietë.

LA

Lushnja ka fituar me përmbysje ndaj Teutës, në takimin e zhvilluar të shtunën në mesditë, në fushën sportive të Plugut. Në fund të pjesës së parë kapitenia Isha Qerimi kaloi Teutën në avantazh. Por pas pushimit erdhi përmbysja e lushnjareve, brenda katër minutave. Esmeralda Buba barazoi në minutën e 67-të, ndërsa katër minuta më vonë, lushnjaret kaluan në avantazh me Dorina Demirin. Skuadra e drejtuar nga Dionis Musaku merr fitoren e dytë në kampionat, duke iu larguar fundit të tabelës.

LU

JAVA

ABDULLA DUSHKU/ ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"