Futboll femra/ Sherri në derbin e Myzeqesë, Korreshi: Kule, me fjalor rruge. Ofendoi vajzat…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2021 | 21:45

Futboll femra/ Sherri në derbin e Myzeqesë, Korreshi: Kule, me fjalor rruge. Ofendoi vajzat…

Derbi i Myzeqesë midis Lushnjës dhe Apolonisë i pari në futbollin e femrave nuk shkoi aspak mirë. Pavarësisht, se ndeshja u zhvillua me një portë dhe Apolonia fitoi me meritë 6-0, tensioni në fushë ishte shumë i madh. Sidomos, në pjesën e dytë, ku ekipi i drejtuar nga Hekuran Korreshi u ndëshkua me katër kartonë të kuq.

korreshi

Përveç tensionit në fushë, protagonistë u bënë edhe dy trajnerët, Hekuran Korreshi i Lushnjës dhe Mariglen Kule i Apolonisë, aq sa për të zgjidhur sherrin mes dy teknikëve u nevojit ndërhyrja e policisë bashkiake. Në një intervistë për gazetën trajneri i Lushnjës shpjegon se çfarë ndodhi me një derbi premierë, por shumë të tensionuar.

Korreshi, si u përgatit ekipi juaj dhe pse shkoi Lushnja me katër kartonë të kuq?

Mendoj se ishte si rrjedhojë e acarimit që bënte trajneri kundërshtar, që kishte një fjalor larg etikës profesionale, krejtësisht të papranueshëm për vajzat. Edhe kundër ekipit të vet, edhe kundër ekipit që drejtoj unë.

Ju vendosët portieren e dytë në portë, pas dëmtimit të Rapos. Pse u kthye mbrapsht ndërrimi?

Morëm sinjalin që portierja Rapo ishte e pamundur për të vazhduar lojën. Kryem zëvendësimin. Sapo portierja e dytë u vendos në portë, na e kthyen mbrapsht. Vendimi i gjyqtareve ishte i drejtë dhe korrektë. Sepse kisha bërë tre ndalesa loje. Lejohen pesë, por unë kisha bërë tre ndalesa. Ndërrimi u kthye mbrapsht me të drejtë. Vendosëm një lojtare në portë.

A keni një koment të veçantë për katër kartonët e kuq në pjesën e dytë?

Unë mendoj që kartonët u dhanë më të drejtë. Gjykimi ishte korrekt dhe ndëshkimet për ekipin tim ishin të merituara. Patjetër që i kam kritikuar vajzat në analizë. Kjo është një ndeshje derbi dhe dihet rivaliteti i madh që ka Lushnja me Fierin. Në një ndeshje derbi loja është e ashpër. Edhe vajzat e ndiejnë sepse në këtë qytet jetojnë.

Ju patët një debat të ashpër me trajnerin e Apolonisë dhe u desh ndërhyrja e punonjësve të policisë bashkiake të Lushnjës! Pse debatuat?

Me trajnerin e Apolonisë debatova për fjalorin sepse kishte një fjalor rrugësh. Ndoshta është mësuar me ekipin që drejton. Për mendimin tim është fatkeqësi që ai drejton Apoloninë.

Lushnja është debutuese këtë sezon. Si po i ngrini bazat e së ardhmes?

Unë ekipin e kam ngritur me mund dhe me sakrifica. Kemi moshën më të re dhe mesataren më të vogël në kampionat. Kemi një plan-program që përmirësimi të vijë gradualisht. Këtë sezon, ne po konsolidohemi dhe po punojmë hap pas hapi, për të ardhmen. Që Lushnja ta fitojë futbollin e femrave.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"