“FSHF po bën seli që e ka zili edhe Franca”, ish-sekretari i përvishet federatës për shpenzimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 21:03

“FSHF po bën seli që e ka zili edhe Franca”, ish-sekretari i përvishet federatës për shpenzimet

Thellohet gjithnjë e më shumë përplasja mes qeverisë dhe FSHF-së. Kjo e fundit njoftoi e alarmuar se përfundimi “Arenës Kombëtare” në kryeqytet është në pikëpyetje, pasi qeveria nuk rimburson TVSH-në dhe rrjedhimisht mungojnë 2 milionë euro në fondin për stadiumin e ri. Ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, dhe njëkohësisht ish-drejtori i këtij impianti, thotë se rimbursimi i TVSH-së është çështje e komplikuar, ndërkohë që e cilëson pa etikë deklaratën e federatës. “Rimbursimi i TVSH-së është çështje e komplikuar nga pikëpamja ligjore dhe kontabël.

Prodani Eduard

Për këtë ka pasur interpretime të ndryshme edhe nga eksperte të njohur, me të cilët jemi konsultuar. Duke mos qenë ekspert i fushës, unë nuk mund të marr anë. Më bëri përshtypje deklarata pa etikë e FSHF-së. Nuk e di sesi mund të përkthehet në këtë debat etiketimi ‘ultras” i anëtareve të një strukture të caktuar shtetërore dhe sesi mund të kuptohet që paska njerëz që nuk paskan dashur që Shqipëria të shkonte në Europian apo që Tirana të ketë stadium. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me institucione dhe çështja do të zgjidhet në një moment nga institucionet.

shtepia-e-re-e-futbollit-5-1024x679

Aq më tepër që stadiumi i ri është një projekt që në asnjë rast nuk mund të ishte filluar ndërtimi i tij pa mbështetjen e qeverisë dhe ku kjo e fundit e rendit atë haptazi ndër sukseset e saj. Natyrisht që futbolli duhet ndihmuar edhe nëpërmjet politikave fiskale favorizuese, por për këtë duhet ndërtuar legjislacion mbështetës dhe jo duke u përpjekur të manipulohet ai ekzistues”, deklaroi Prodani për “Panorama Sport”. Më tej, ai nuk ka ngurruar të thumbojë institucionin e futbollit shqiptar, duke e cilësuar si nervoze federatën dhe në mungesë likuiditeti.

Ndoshta kjo, sipas tij, sjell edhe reagime të kësaj natyre… “FSHF duket nervoze dhe ndoshta në situatë jo të mirë likuiditeti. Kjo është e kuptueshme në angazhimet e mëdha që ka marrë me stadiumet dhe ndërtimin e godinës së administratës për sekretariatin e përgjithshëm që do ta kishte zili edhe federata e Francës. Edhe urgjenca me të cilën kërkohet të përfundohen këto vepra është disi e çuditshme. Por, kjo është një temë tjetër për të cilën do të mund të flasim ndoshta në ndonjë moment tjetër”, deklaroi ish-sekretari i përgjithshëm i federatës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"