FORMULA 1/ Volf trondit: Herët apo vonë, Vershtapen vjen te Mercedesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2024 | 13:33

FORMULA 1/ Volf trondit: Herët apo vonë, Vershtapen vjen te Mercedesi

Për Toto Volf fillimi i vitit 2024 nuk ka qenë padyshim ekzaltues. Mes lamtumirës së Luis Hamilton nga Mercedesi dhe kërkimit për një zëvendësues të përshtatshëm, përveç performancës më pak se inkurajuese të makinës së re “W15”, drejtori i ekipit analizoi momentin. Volf shfaqet i sigurt me një plan për t’u rikthyer në majë. Në një intervistë për “Fox Sports Australia”, drejtori i Mercedesit edhe një herë tjetër hodhi “grepat” në drejtim të Maks Vershtapenit, duke u shprehur se holandezi mbetet zgjedhja e parë.

F1 Grand Prix of Abu Dhabi - Qualifying

“Ne kemi një sedile bosh dhe jemi të vetmit nga skuadrat kryesore që kemi një vend të lirë, përveç nëse Vershtapen vendos të largohet nga Red Bull. Varet nga ajo që Maks vendos të bëjë. Është ai është zgjedhja jonë e parë, të gjithë e shohim se cilat janë nivelet e performancës së tij. Por gjithashtu nuk dua të injoroj të tjerët, sepse kemi një zgjedhje të gjerë duke filluar nga një profil shumë i ri dhe super i talentuar deri te dikush më i vjetër, por me shumë përvojë. Vendimi nuk do të merret në javët e ardhshme apo muajin e ardhshëm, por besoj gjatë verës”, u shpreh fillimisht Volf.

Drejtori i ekipit Mercedes më pas kujtoi me një keqardhjeje atë që ndodhi në vitin 2014, kur Vershtapen ishte ende një pilot në Formula 3: “Ai ishte që në atë kohë shumë i mirë. Unë kisha një marrëdhënie të mirë me babain e tij dhe u takuam për të vendosur se çfarë të bënim. Nuk ekzistonte mundësia për t’i ofruar menjëherë një vend në F1, por unë propozova një vit të financuar plotësisht nga ne në GP2, duke garantuar F1 në sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Jos më tha për ofertën e Red Bull-it për të garuar menjëherë me Toro Roson dhe më pas kuptova që nuk munda të konkurroja. Megjithatë besoj se marrëdhënia jonë me Vershtapenin do të duhet të materializohet në një moment, ndonëse nuk e di se kur do të finalizohet saktësisht. Ajo që mund të them është se herët apo vonë, Maks do të vijë në skuadrën tonë”, deklaroi shefi i Mercedesit.

HAMILTON DHE FERRARI – Toto Volf ka komentuar edhe një herë temën mbi transferimin e Luis Hamiltonit te Ferrari në vitin e ardhshëm, duke mos i kursyer “thumbat” për pilotin dhe për rivalët italianë: “Unë shkova me pushime duke e ditur që Luis do të ishte pilot i Mercedesit deri në fund të karrierës së tij, kështu që e kishte të vështirë të ma thoshte. Pas pushimeve ai erdhi dhe më takoi për një kafe, gjë që është normale.‘Luis po shkoj te Ferrari’, më tha dhe unë iu përgjigja: ‘E ke seriozisht?!’ Nuk më tronditi, sepse e dija që kishte një kontratë afatshkurtër, por u befasova nga koha, në fillim të sezonit dhe më shpjegoi se nuk donte të garonte me këtë peshë. Ne u përshëndetëm, duke i uruar njëri-tjetrin më të mirën. Por shpresoj ta mposhtim atë në pistë vitin e ardhshëm, edhe pse akoma nuk e imagjinoj me ngjyrën e kuqe dhe mendoj që është një ngjyre që nuk i shkon. Gjithsesi, imazhi do të jetë interesant. Në fund i thashë që të fiksonte në mendje pjesën e pasme të makinës sonë, sepse kjo do të jetë pamja që ai do të shohë në të ardhmen”, përfundoi Volf, duke “shigjetuar” pilotin britanik dhe Ferrarin.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"