Fitorja ndaj Luftëtarit, Ramadani: Flamurtari do të ringrihet, u bëra nostalgjik në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2021 | 14:25

Fitorja ndaj Luftëtarit, Ramadani: Flamurtari do të ringrihet, u bëra nostalgjik në Gjirokastër

Flamurtari fiton mes moçalit në Gjirokastër dhe për Behar Ramadanin kjo ishte provë force. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori nuk e mohon vuajtjen përballë Luftëtarit dhe na zbulon se u bë jo pak nostalgjik të dielën.

Behar Ramadani Flamurtari

Ia dolët, edhe pse terreni ishte moçal. E vështirë?

Po, patjetër që po. Ishte fitorja më e vështirë mund të them. Me atë terren të rënduar ishte thuajse e pamundur të luhej futboll. Megjithatë, ia dolëm dhe treguam vlerat tona. Kjo është forca e Flamurtarit.

U rikthyet në Gjirokastër, por si ish. Patët emocione?

Më shumë se emocione, pata nostalgji. Aty kam kaluar vite shumë të bukura të karrierës sime dhe sa herë luaj në atë stadium, ndihem mirë. Kështu që, nuk kishin si të mungonin as momentet që të bëjnë nostalgjik.

Hera e parë që luani në këtë kategori. Si ju duket?

Çdo kategori ka vështirësitë e veta dhe këtu janë fushat. Duke parë objektivat dhe ambiciet që ka Flamurtari, ne do të kapërcejmë çdo pengesë që na del para. Asnjë nuk mund të na ndalë. Kemi një grup me lojtarë me eksperiencë që di të menaxhojë çdo situatë dhe vështirësi. Deri tani e kemi bërë mjaft mirë detyrën tonë.

Besoni te ringritja e këtij Flamurtari?

Me ndihmën e Zotit, Flamurtari do të ringrihet. Po investohet dhe punohet shumë seriozisht. Idetë e klubit janë shumë të qarta. Ekipi do të rikthehet shumë shpejt ku e ka vendin. Jemi shumë të vendosur që të gjithë bashkë ta ngjisim Flamurtarin në Superiore.

Si ndiheni në Vlorë?

Vlora është një qytet shumë i bukur. Këtu kam gjetur një ambient shumë të ngrohtë. Kemi kushte shumë të mira që të punojmë si profesionistë. Kemi një harmoni brenda skuadrës që është për t’u pasur zili, si dhe një president që na rri shumë afër.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"