“Fitojmë në Lushnjë”, portieri i Egnatias: Nuk pësoj as këtë javë, thelloj rekordin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 23:11

“Fitojmë në Lushnjë”, portieri i Egnatias: Nuk pësoj as këtë javë, thelloj rekordin

Egnatia do pathyeshmërinë. Zyrtarisht nuk e njohin humbjen pas 9 ndeshjesh dhe nuk kanë në plan që ta prishin këtë ecuri edhe me Lushnjën. Luajnë në transfertë, por kjo nuk i tremb. Rrogozhinasit i kanë marrë masat që sot nga “Roza Haxhiu” të dalin fitimtarë. Një fitore do të përkthehej jo vetëm me arrati në renditje, por edhe eliminimin e një kundërshtari direkt. Për t’ia dalë, duhet që të mos pësojnë dhe garanci për këtë jep portieri. Klevis Hasanbelli paralajmëron “kyçjen” e katërkëndorit dhe thellimin e rekordit. “E kemi përgatitur me shumë kujdes transfertën me Lushnjën. Kemi marrë që të gjitha masat, për të ruajtur pathyeshmërinë në këtë kampionat. Kundërshtari meriton vlerësim, pasi në fazën e parë na mori një pikë. Atë 90-minutësh do ta mbaj mend gjatë, pasi na prishi rekordin e golave të pësuar.
unnamed
E megjithatë, rëndësi ka që nesër (sot) të fitojmë dhe ruajmë kreun. Duhet të jemi konkretë në lojën tonë e t’i zhbllokojmë shifrat sa më shpejt. Asgjë nuk na mungon për t’ia dalë. Gjithçka funksionon si duhet në skuadër. Përbërja që kemi na bën optimistë se në çdo fushë duhet të luajmë futboll të bukur e të dalim me kokën lart. Presidenca, stafi e drejtuesit na mbështesin e kërkojnë më të mirën nga ne. Egnatia është ndërtuar për t’u ngjitur në Superiore dhe i kemi të gjitha shanset të presim një ‘biletë’ në fund të këtij sezoni. Porta? Te rrogozhinasit siguria nis gjithmonë nga porta e më pas repartet e tjera që na japin ‘fytyrën’ e pretendentëve. Jam munduar të jap më të mirën dhe ndihem mirë që shifrat flasim për ne. Egnatia përmbush edhe synimet e mia personale, këtu gëzoj respektin e të gjithëve. Shpresoj ta ruaj portën gjatë pa pësuar, pasi bashkë me portierët e tjerë stërvitemi sistematikisht. E vetmja gjë që na mungon këtë sezon, janë tifozët. Por, ata mbeten frymëzimi ynë në rrugëtimin drejt elitës”, përfundoi 23-vjeçari.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"