Firmosi kontratë pa pagesë, talenti 18 vjeçar kërkon fitoren ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2018 | 14:07

Firmosi kontratë pa pagesë, talenti 18 vjeçar kërkon fitoren ndaj Tiranës

Erald Hyseni konsiderohet pa dyshim si “xhevahiri” i Tomorit, teksa ky është sezoni i tij i parë në ligën profesioniste, duke shkëlqyer në 21 javët të luajtura.

erald hyseni

Futbollisti 18- vjeçar në fillim u afrua si lojtar që do të qëndronte jashtë 18-shes, për shkak të moshës së tij të vogël, teksa më pas arriti të bindte stafin teknik, duke u projektuar si titullar i padiskutueshëm, edhe pse në kontratën e tij parashikohej që nuk do të kishte asnjë përfitim financiar. Më tej ishin krerët e klubit beratas ata që vendosën të bënin një rishikim të kontratës së tij.

DEKLARATA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, organizatori beratas u shpreh: “Më vjen mirë që më konsiderojnë si një talent. Kjo gjë më motivon akoma më shumë, sepse sapo kam filluar dhe me duhet ende shumë punë që të bëhem dikush. Sekreti i suksesit është përulësia.

Hyseni

Kam pasur komplimente apo edhe oferta konkrete, por kam qëndruar me ‘këmbë në tokë’. Në fillim kam ardhur këtu sa për të plotësuar numrin e futbollistëve, pasi isha vetëm 17 vjeç dhe pa eksperiencë. Kam punuar fort dhe më është dhënë një mbështetje që nuk do ta harroj. Aktualisht kam pasur disa kontakte që nuk dua t’i bëj publike. Janë edhe 4 javë nga përfundimi i kampionatit dhe duhet të përqendrohem për të dhënë më të mirën në realizimin e objektivave.

Në verë do të vendoset edhe e ardhmja ime, por nuk e mohoj asnjëherë edhe qëndrimin tim këtu, për të paktën edhe një sezon tjetër. Tomori është një klub i madh dhe është privilegj të jesh pjesë dhe të kontribuosh për emrin e tij”, u shpreh fillimisht Hyseni. Sakaq, 18- vjeçari foli edhe për ndeshjen ndaj Tiranës, teksa tha që kryeqytetasit e meritonin plotësisht ngjitjen.

“Jemi duke punuar maksimalisht për ndeshjen ndaj Tiranës, ku kërkojmë të bëjmë një ndeshje të bukur dhe të regjistrojmë fitoren e parë ndaj tyre për këtë sezon. Tirana ishte gabimisht në Kategorinë e Parë dhe e meritonte plotësisht ngjitjen. Këtë gjë duhet të bëj edhe Tomori për edicionin e ardhshëm sepse këto ekipe e kanë vendin në Kategorinë Superiore”, përfundoi Hyseni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"