Finalja e Kupës, Policia e Tiranës: Masat njësoj si për ndeshjen Tirana-Bylis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 2, 2020 | 11:03


Finalja e Kupës, Policia e Tiranës: Masat njësoj si për ndeshjen Tirana-Bylis

Policia e Tiranës ka publikuar planin e masave për mbarëvajtjen e finales së Kupës së Shqipërisë Tirana-Teuta, e cila do të luhet sonte në orën 20:00 në stadiumin “Air Albania”.
Kupa e SHQIPERISE
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, policia e kryeqytetit shton se masat e marra do të jenë të njëjta për sfidën e fundit të kampionatit Tirana-Bylis, ku bardheblutë ngritën titullin e 25-të kampion.

Njoftimi i Policisë së Tiranës

Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Teuta – Tirana, finale e kupës së Shqipërisë, që do zhvillohet më datë 02.08.2020, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.

Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të jenë të njëjta si në ndeshjen Tirana – Bylis, do të merren sërish një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë qytetarët e Tiranës se:

-Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës.

-Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

AIR ALBANIA

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:30 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe lëvizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com