Episodi në fund të takimit, reagon ylli i Liverpulit: Ishte penallti e pastër, arbitri gaboi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 18:56

Episodi në fund të takimit, reagon ylli i Liverpulit: Ishte penallti e pastër, arbitri gaboi

Aleksis Mek Alister këmbëngul se ai duhej të kishte fituar një penallti në ndeshjen e së dielës mes Liverpulit dhe Mançester Sitit, pas një përplasje të diskutueshme mes Zheremi Doku dhe mesfushorit argjentinas.

WhatsApp Image 2024-03-10 at 20.02.39

Siti dhe Liverpuli zhvilluan një nga ndeshjet më spektakolare të sezonit të dielën në “Anfield”, me dy skuadrat që nuk mundën të ndajnë më shumë se një pikë për herë të dytë këtë sezon në kampionat. Xhon Stons shënoi golin e parë për “qytetarët” pas një asisti të zgjuar nga Kevin De Bryjne, përpara se Mek Alister të barazonte rezultatin për vendësit me penallti.

Me dy ekipet e kreut që përplaseshin në këtë javë, ishte një lojë me intensitet të lartë dhe si e tillë sekondat e fundit shkaktuan polemika, me Mek Alisterin e rrëzuar në zonë nga një takë e ngritur lartë nga Doku.

Jyrgen Klop ishte i bindur se skuadra e tij duhej të kishte fituar një penallti dhe shumë ishin dakord me të, por arbitri Majkëll Oliver nuk ishte i bindur dhe kështu Siti shpëtoi pa u përmbysur. Përsëritjet treguan këpucën e Dokut, e cila prekte një pjesë të topit në atë duel, megjithëse ai kishte kontakt të qartë me kraharorin e mesfushorit argjentinas.

“Duam më shumë dhe mendoj se meritonim shumë më tepër sesa një pikë”, tha Mek Alister për performancën e skuadrës së tij në “Anfield”. “Unë mendoj se performanca ishte shumë e mirë, pjesa e dytë ishte e mahnitshme. Jemi aq shumë krenarë, por të mërzitur që nuk morëm tre pikët”.

Por kur u pyet nëse ai mendonte se duhej të ishte akorduar një penallti në shtesë, ai u përgjigj: “Mendoni se e mendoj vetëm unë? Besoj se është një penallti e pastër, nuk mund të them më shumë, mendoj se arbitri bëri një punë të mirë gjatë gjithë ndeshjes, por mendoj se ai gaboi në vendimin e fundit”.

Klop u pa të konfrontonte arbitrin Oliver në fund të ndeshjes: “Ata do të gjejnë një shpjegim. Por ishte 100 për qind faull nga të gjitha pjesët e fushës dhe ndoshta një karton i verdhë”.

Vendimi ka sjellë reagime pro dhe kundër, por fakt është që Liverpuli e humbi kreun, ndërsa tani i pari është Arsenali falë golavarazhit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"