EKSKLUZIVE/ U shënoi “Tre Luanëve”, Rraklli: Tani anglezët i ndëshkon Cikalleshi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2020 | 23:48

EKSKLUZIVE/ U shënoi “Tre Luanëve”, Rraklli: Tani anglezët i ndëshkon Cikalleshi (E PLOTË)

Shqipëria është për ballur katër herë me Anglinë në ndeshje kualifikuese dhe një herë në miqësore me skuadrën B të tyre. Në të pesta ndeshjet kemi dalë të humbur dhe golin e vetëm në eliminatore e ka shënuar Altin Rraklli në ndeshjen e 28 marsit 2001 (1- 3).

Rrakli Kombetarja

Në miqësoren e 25 majit 2007, që përfundoi 3-1, ka shënuar Besart Berisha. Tani jemi sërish në grup me britanikët dhe kjo ka një domethënie speciale për Rrakllin. Çfarë mendon ish-sulmuesi i shquar i përfaqësueses shqiptare? Sa shanse ka Shqipëria dhe si mund t’u shënohet atyre?

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai shpreh dëshirën që këtë herë të jetë një tjetër kavajas që të tundë rrjetën e anglezëve. “Shpresoj të shënojë sërish Cikalleshi. Më shijojnë golat kavajas në kombëtare…”, shprehet ish-sulmuesi.

Altin si ju duket shorti?

Shumë i vështirë. Anglia dhe Polonia janë kundërshtarë vërtet shumë të vështirë. Poloninë nuk e doja, është ekip i hidhur… Kemi pak shanse të bëjmë surprizën. Por ndonjëherë luan rol kyç egoja personale dhe kundërshtarët e mëdhenj na motivojnë më shumë.

Deri ku mund të mbërrijmë?

Mendoj se mund të luftojmë denjësisht për vendin e tretë. Kaq është potenciali ynë në këtë moment. Pastaj, nëse gjërat shkojnë mirë, sigurisht që nuk kemi pse heqim dorë.
Anglia2

Si mund t’i shënohet goli Anglisë?

Shikoni, unë mendoj se Anglia është një nga ekipet më të mira në Europë, pavarësisht se u bë kohë që nuk fiton asgjë të rëndësishme. Por ka lojtarë të jashtëzakonshëm që duken si raketa…

Dakord, por si mund t’ju shënohet atyre, sepse të vetmin gol juve ia keni shënuar…?

Ka shumë mënyra, por besoj se tani është më e vështirë t’u shënosh, se atëherë.

Pse?

Shikoni, duket paradoks, por atëherë mund të ketë pasur emra më të mëdhenj, ama tani janë ekip më i disiplinuar, sidomos në fazën mbrojtëse. Plus që tani rregulli numër një është që të mos neglizhohen rivalët e vegjël dhe kjo ne na e bën më të vështirë.

Shqipëria ka më shumë cilësi sot, apo atëherë?

Atëherë ne ishim një ekip me shumë cilësi, por jo kaq i organizuar. Sot Shqipëria është më e organizuar. Ndoshta nuk ka aq shumë guxim, apo njerëz që marrin përsipër edhe të improvizojnë diçka, por sot ekipi është më i organizuar. Por Shqipërisë duhet t’i japim edhe pak kohë, sepse mund të përmirësohemi akoma.

Pse nuk luajtët titullar atëherë kundër Anglisë?

Histori e gjatë dhe për fat të keq u trajtua sikur kishte diçka personale mes meje dhe ish-trajnerit të ndjerë Mehdin Zhega, por nuk është kështu.
Zhega
Si është e vërteta?

Ne atë edicion kishim edhe Gjermaninë në grup. E vërteta është që para ndeshjes me Anglinë ne kishim zhvilluar një ndeshje me Gjermaninë. Zhega më futi në pjesën e dytë, në minutën e 58-të dhe unë ia shpërbleva besimin dhe luajta shumë mirë. Prandaj besova se do të luaja me Anglinë. Mirëpo diçka nisi që para këtyre dy ndeshjeve, sepse kishim zhvilluar një miqësore para Gjermanisë dhe ai nuk më futi fare në lojë. Që aty u ndjeva disi i tradhtuar. U ndjeva ligsht dhe e ftova për kafe. Ia pata thënë që nëse nuk më kishte në plane duhej të ma thoshte në sy dhe unë tërhiqesha. Isha te të 30-at, isha në formë, por luaja në Bundesligë dhe kisha filluar edhe unë të bëja llogaritë e mia nëse e përballoja dot më impenjimin në klub dhe atë në Kombëtare. Ama mora guximin dhe fola hapur me trajnerin.

Po ai çfarë ju tha?

Më tha tekstualisht: “Altin ç’janë këto fjalë? Ti je lojtari kryesor i skuadrës. Je i padiskutueshëm…”. Mirëpo më pas u ndjeva i tradhtuar.

Pse?

Sepse edhe sot nuk e di pse nuk luajta me Anglinë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte se nisa nxehmjen që në fund të pjesës së parë dhe trajneri më aktivizoi në minutën e 86-të. U futa dhe shënova dy gola. Njërin ma anuluan, por me të padrejtë. Por nuk mora asnjë përgjigje se përse nuk luajta në atë ndeshje.

Çfarë i thatë trajnerit më pas?

Mund t’ju them se pas asaj ndeshjeje vendosa të largohem nga Kombëtarja. Tani që e mendoj nuk besoj se kam bërë mirë, sepse kisha ende shumë për të bërë, por u krijuan rrethanat të tilla.
1104787
Dy gola për pesë minuta kundër Anglisë, si është e mundur?

Isha i frymëzuar, i revoltuar dhe jashtëzakonisht mirë fizikisht. Stadiumi nisi të thërriste emrin tim që në fillim të pjesës së dytë dhe unë u elektrizova i tëri. Pastaj kur u futa doja vetëm ta çoja topin në rrjetë. Ia dola dy herë, por të dytin ma anuluan. Padrejtësisht. E kam parë disa herë, ishte shumë i padrejtë anulimi.

Po të ishte konsideruar i rregullt ai gol, a na mundte dot Anglia?

Nuk kishte asnjë shans… Nuk kishte as kohë mbi të gjitha…(qesh).

A ka ndonjë lojtar shqiptar që sot mund t’i shënojë dy gola Anglisë…?

Ndoshta… Nuk e di. Por ama një mund t’ia shënojnë, edhe pse e përsëris, tani anglezët lënë më pak hapësira në mbrojtje.

Kush mund t’i shënojë?

Cikalleshi. Më shijojnë shumë golat kavajas në Kombëtare…(qesh). Edhe Uzuni mund të shënojë, por aty në Kombëtare është më i tërhequr. Ndërsa, Cikalleshit po i ecën edhe me golin këto kohët e fundit. Shpresoj shumë që deri atëherë të jenë kthyer edhe tifozët sepse janë shumë të rëndësishëm për ne. Sidomos në ndeshje të mëdha.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"