EKSKLUZIVE/ “U përmenda në spital”, Vata rrëfen tmerrin që i solli 13 qepjet: Ishte mrekulli që shpëtova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2023 | 21:56

EKSKLUZIVE/ “U përmenda në spital”, Vata rrëfen tmerrin që i solli 13 qepjet: Ishte mrekulli që shpëtova

Elton Vata përjetoi tmerrin në TërbuniTurbina. Ishte minuta e 67-të e ndeshjes, kur po mundohej të ndalte një rast goli të kundërshtarëve. E kontrolloi topin, por në atë çast ndeshet me një goditje në kokë nga Albi Metani.

1680378971_TERBUNI1

Portieri bie pa ndjenja dhe përlyet i tëri nga gjaku. Mjekët ndërhynë direkt, por çarja ishte gjigante. Niste nga hunda dhe përfundonte në cepin e vetullës. Me urgjencë e dërguan në spital, ku edhe është përmendur. Përfundoi me plot 13 të qepura, por për fat shpëtoi mrekullisht.

Tashmë 24-vjeçari është mirë, e megjithatë këtë moment nuk do ta harrojë kurrë. Ekskluzivisht për “Panorama Sport” lojtari që dikur ka mbrojtur edhe portën e Teutës, Laçit, Erzenit, Vorës apo Kastriotit, tregon pasojat dhe shokun që i shkaktoi ai dëmtim.

VATAAAA

“Shpëtova mrekullisht. Nuk di çfarë të them më tepër. Më duhet të falënderoj mjekët e Spitalit Rajonal Pukë. Ndërhyrja e tyre ishte vendimtare. Më dhanë ndihmën e parë në kohë reale. Kisha rrjedhje gjaku nga hunda dhe vetulla. Në ato çaste të vështira, dy mjekët Doda dhe Musaj, me shumë durim dhe profesionalizëm më kanë bërë 13 qepje. Dhe nuk janë pak tani që e mendoj…”, thotë Vata, që pohon se ka pësuar edhe goditje në kokë.

KOLAPSI

Përtej falënderimeve për gjithkënd që e ndihmoi ta kalonte atë traumë, shpreh habinë që kundërshtari nuk mori as karton të verdhë për atë ndërhyrje horror: “Goditja ishte shumë e rëndë nga futbollisti i Cërrikut. Ai erdhi drejt meje dhe më goditi me taka në momentin që unë e kisha topin në dorë. Kam rënë direkt pa ndjenja dhe nga ato momente nuk mbaj mend gjë. Di të them që jam përmendur në spital. Kur e kam parë veten atje më erdhi vetëdija”.

PADREJTËSITË

Fundin e ndeshjes nuk e pa dot (ndonëse u ndërpre në shtesë), e megjithatë një koment e jep. “Kur dola nga spitali, pyeta për rezultatin e ndeshjes. Mësova se nuk ishte mbyllur ama, arbitri e kishte ndërprerë. Unë vërtet nuk e pashë finishin, por dëgjova se skuadra kishte merituar që ta fitonte atë lojë.

E di çfarë më çuditi pastaj, kur mësova se gjyqtari nuk i kishte dhënë as kartonë të verdhë lojtarit të Turbinës që bëri atë ndërhyrje ndaj meje. Madje, paska vijuar edhe loja në momentin kur unë isha pa ndjenja në tokë… Na ishte anuluar një gol, i cili do të na jepte fitoren. Mendoj se kjo është një padrejtësi që po i bëhet skuadrës sonë”, shtoi gardiani, që deri tani ka marrë 1777 minuta në fushë.

RIKTHIMI

Pasi kaloi rrezikun për jetën, tregon se kur mund të kthehet. I duhet sigurisht disa ditë të mira pushim dhe më pas do të vendoset se kur mund të jetë gati për lojë. Përtej padrejtësisë, deklaron me bindje të plotë që ata do ta shmangin rënien.

“Megjithatë, mund të them se ne jemi të vendosur që skuadra të qëndrojë në Kategorinë e Parë. Unë shpresoj që brenda këtyre ditëve të dal në stërvitje, pavarësisht se mjeket më kanë rekomanduar që të qetësohem për disa ditë. Gjithsesi do të bëj çmos të kontribuoj për të ndihmuar ekipin”, përfundoi Elton Vata.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"