EKSKLUZIVE/ “Teo Hernandez idhulli im”, Buxhelaj: Kemi 3 rivalë direkt, Partizani sërish kampion (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 20:50

EKSKLUZIVE/ “Teo Hernandez idhulli im”, Buxhelaj: Kemi 3 rivalë direkt, Partizani sërish kampion (E PLOTË)

Gjithnjë dëgjojmë të thuhet nëpër studio televizive a intervista, se në klubet e mëdha është e vështirë që një i ri “të çajë” deri në ekipin e parë.

buxhelaj

Por Paulo Buxhelaj i ka kaluar të gjitha pengesat dhe prej dy sezonesh është kthyer në një element të rëndësishëm për Partizanin. Vjet ishte lojtar kryesor, teksa në këtë sezon po aktivizohet më pak, duke vuajtur moshën e re dhe mungesën e eksperiencës. Mbrojtësi, që luajti 90 minuta në triumfin ndaj Kukësit në Kupë, në një prononcim për “Panorama Sport” rrëfen marrëdhënien me trajnerin Shehi, teksa duket besimplotë për titullin.

Si ishte të luanit 90 minuta pas një kohe relativisht të gjatë?

Padyshim ndjesi shumë e mirë. Janë minuta shumë të vlefshme për mua, duke ditur që kisha një kohë të konsiderueshme pa luajtur një ndeshje të plotë nga fillimi deri në fund.

Prisni të luani më shumë minuta në vazhdim?

Normalisht, si çdo futbollist, për më tepër ne të rinjtë, do të doja të luaja më shumë minuta. Minutat janë ato që të ndihmojnë të përmirësohesh si lojtar.

Kohët e fundit kam luajtur më shumë dhe do të vazhdoj të stërvitem akoma më fort që t’i meritoj minutat në fushë dhe të tregoj më të mirën time.

Mund të themi se e keni vuajtur disi ndryshimin e trajnerëve sa i përket aktivizimit?

Unë me çdo trajner kam dhënë maksimumin dhe kam pasur raport korrekt dhe shumë të mirë. Kjo është e rëndësishme, pastaj çdo gjë tjetër mendoj se vjen me kalimin e kohës në momentin e duhur.

Çfarë këshillash ju jep më së shumti trajneri Shehi?

Profesori më së shumti përqendrohet tek udhëzimet në lidhje me lojën dhe pjesën e vetëbesimit. Këtë nuk e bën vetëm me mua, por me çdo lojtar të ekipit. Na i bën gjërat më të thjeshta kur luan, por edhe kur nuk luan.

Po nga shokët e ekipit, kush ju këshillon më shumë?

Unë konsultohem dhe përpiqem t’i dëgjoj të gjithë për të mësuar sa më shumë. Por mendoj se më së shumti këshilla më jep Sota. Atanaskoski gjithashtu më flet, sepse është lojtar me eksperiencë.

Cila është më e fortë, skuadra e vjetshme apo kjo aktualja e këtij sezoni?

Nuk mund të ndaj një prej tyre, por mund të them se janë të dyja shumë forta.

Të dielën sfidoni Skënderbeun. Besoni se këtë herë do t’ia dilni t’i mposhtni korçarët?

Kemi një skuadër me shumë elemente cilësore dhe si në çdo ndeshje, besimi ynë për fitore është maksimal.

Mendoni se e keni forcën për t’i mposhtur të gjithë rivalët dhe për tu shpallur sërish kampion?

Po, padyshim. Mendoj se e kemi forcën për të kaluar me sukses çdo betejë dhe për tu rishpallur kampion.

Cili ekip mendoni se është rivali direkt i Partizanit?

Luajmë në një kampionat mjaft të luftuar, por mendoj se rivalët direkt të Partizanit do të jenë tri skuadrat (Vllaznia, Tirana, Egnatia), që plotësojnë katërshen.

Cila ka qenë ndeshja më e bukur që keni luajtur deri më tani?

Ndeshjet që të mbesin më së shumti në mendje janë ato që kemi fituar. Ndeshja që më ka mbetur në mendje është fitorja 0-1 me golin e Skukës.

Kush është mbrojtësi që ju e merrni gjithnjë si një shembull?

Teo Hernandez. Më pëlqen shumë stili i tij i lojës dhe mënyra sesi lëviz në fushë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"