EKSKLUZIVE/ “Të mos e përdorin futbollin për propagandë”, Zmijani, apel kryeministrit Rama: Ndihmo klubet, s’kemi Mesi dhe Ronaldo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2020 | 14:21

EKSKLUZIVE/ “Të mos e përdorin futbollin për propagandë”, Zmijani, apel kryeministrit Rama: Ndihmo klubet, s’kemi Mesi dhe Ronaldo

Hysen Zmijani, legjen da e gjallë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar, i cili është nderuar edhe me titullin “Mjeshtri i Madh” nga presidenti i Republikës, ekskluzivisht përmes “Panorama Sport” ka bërë një apel të ndjerë për kryeministrin Edi Rama në këtë kolaps që ka përfshirë globin.

hysen zmijani

Përhapja e Koronavirusit dhe ndërprerja e të gjitha aktiviteteve sportive ka shtuar edhe më shumë problemet që kanë sot klubet dhe akademitë e futbollit. Ish-mbrojtësi i Kombëtares i kujton kreut të qeverisë se Shqipëria nuk ka lojtarë si Ronaldo dhe Mesi që s’kanë nevojë të mbështeten.

Sipas Zmijanit, është koha që qeveria të përfshijë futbollin në paketën ndihmëse, duke iu bashkuar FSHF-së në nismën për dhënien e një shpërblimi sado modest.

Zoti Zmijani, një situatë e vështirë edhe për futbollin pas përhapjes së Koronavirusit dhe ndërprerjes së aktiviteteve. Çfarë ju bën më tepër përshtypje në këtë kolaps?

Nuk është koha për të hedhur batuta për sportin në këtë moment kaq të vështirë. Futbolli duhet mbështetur, sepse është një sport që i jep kënaqësi njerëzimit. Në këtë situatë nuk duhet të shikojë qeveria nëse punojnë në të zezë apo në të bardhë, por duhet që të japë ndihmë.

Gjithsesi, sporti nuk u fut në paketën ndihmëse nga qeveria, ndërsa FSHF akordoi një shpërblim për lojtarët dhe trajnerët…

Deri më tani FSHF ka bërë më të mirën, duke mbështetur me ato mundësi që ka këtë sport. Mua më djeg futbolli, prandaj dhe kërkoj një tjetër mbështetje nga shteti. Sa mirë zoti kryeministër i bëri të lumtur fëmijët që kishin rënë nga kati i katërt apo i pestë nga lëkundjet e tërmetit, duke i dërguar ata të takojnë Ronaldon. Ai e quajti diçka të madhe dhe e publikoi me forcë një gjë të tillë. Ndërsa tani diskuton pagat për sportistët dhe në veçanti futbollistët.

Jeni i zhgënjyer nga ky qëndrim i kryeministrit për futbollin?

Unë them se qeveria duhet që të bëjë më shumë për sportin dhe të evitojë diskutimet e kota. Futbollistët tanë nuk janë Ronaldo apo Mesi, por kanë vlerat e tyre. Nuk marrin para aq sa Ronaldi apo Mesi, por pavarësisht kësaj, i kënaqin tifozët e tyre me atë cilësi që kanë. Jemi në një situatë ku po kalon krizë FIFA dhe UEFA, e jo më FSHF. Prandaj qeveria nuk duhet merret si paguhen lojtarët në të zezë apo në të bardhë, por të mbështesë fort futbollin. Mos ta përdorë atë për propagandë.

Të gjithë ishin në festën kur Shqipëria shkoi në Kampionatin Europian, ndërsa tani gjejnë mënyra për të shmangur pagat e lojtarëve dhe trajnerëve. FSHF-ja ka bërë maksimumin e mundshëm, ndërsa qeveria duhet të kishte bërë të vetën. Sporti dhuron kënaqësi. Ne s’mund të kemi Barcelonen këtu, por këto skuadra që kemi na kënaqin. Prandaj duhet përkrahur dhe mbështetur edhe sporti. Vërtet sot nuk është koha që të merremi me futbollin, por me hallet e mbarë popullit dhe Shqipërisë. Mirëpo, këtu hyjnë edhe sportistët dhe pa dyshim ajo që mua më vret më shumë, futbollistët.

Çfarë prisni më konkretisht nga shteti?

Sot është koha që shteti ynë të shikojë mundësinë ta ndihmojë futbollin siç bëri Kosova. Një sportist dhe për më tepër një futbollist, karrierën më të gjatë e ka 10 apo 11 vjet. Të rrallë janë ata që vazhdojnë karrierën si trajner të parë, ku edhe të ardhurat nuk janë të mëdha. Në varësi të stadit të futbollit që ne kemi, ata kanë edhe pagesat përkatëse, por ato janë të merituara për gjithsecilin. Edhe futbollistët kanë të drejtë në këtë periudhë që të ndihmohen.

Nuk ka pse shteti të merret sot me pagat e tyre. Mendoj se në një mënyrë apo në një tjetër, ata i kanë dhënë këtij populli kënaqësi, që nuk ka arritur t’ia japë kush tjetër. Jeta e futbollistëve apo e sportistëve në përgjithësi është e shkurtër si karrierë, ndryshe nga ndonjë profesion tjetër, prandaj ata luajnë për të jetuar me këto para në gjithë vitet që i ngelen.

Kanë një profesion dhe nuk mendoj se çdo profesion tjetër kërkon që të bëjë karrierë në punën e tyre. Nuk e bën kush futbollistin, ashtu siç një futbollist nuk di të bëjë një profesion tjetër. Duhen ndihmuar trajnerët që stërvisin 20 mijë fëmijë në Ligën Amatore, pasi janë ata që nxjerrin brezin e ri dhe punojnë për këtë gjë. Ky është një tjetër problem social.

Edhe klubi i Vllaznisë, pavarësisht se administrohet nga bashkia, po has probleme financiare.  Keni një koment për këtë?

Në çdo klub sot problemet janë të pranishme. Në këtë situatë duhet që qeveria të mendojë edhe për këtë, prandaj dhe e theksova më sipër.

Si mendoni se duhet të veprojë FSHF për vazhdimin e kampionatit?

Mendimi im është që kampionati të luhet. Të përfundojnë edhe ato javë të mbetura dhe të zgjidhet në fushë dhe jo në tavolinë. Sado që të vonojë data e rinisjes, mendoj se javët e mbetura duhen zhvilluar patjetër.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"