EKSKLUZIVE/ Skenari i FSHF, do rrëzohen Skënderbeu dhe Luftëtari. Zbulohet plani për të shpëtuar Superioren (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2019 | 23:49

EKSKLUZIVE/ Skenari i FSHF, do rrëzohen Skënderbeu dhe Luftëtari. Zbulohet plani për të shpëtuar Superioren (E PLOTË)

Nga njëra anë dënimi i Skënderbeut dhe praktikisht fundosja e klubit korçar. Nga ana tjetër gjendja financiare e gjysmës së klubeve të Superiores. Praktikisht, FSHF në këto momente është e vënë me shpatulla pas murit, sepse në gjendjen ku janë sot klubet e Superiores, rrezikon të nisë një sezon të destinuar për të dështuar.

kategoria-superiore

Të mos ketë garë reale sportive se cila shkon në Europë dhe të ketë një numër të lartë ekipesh thjesht si emër. Lajmi i djeshëm për tërheqjen e presidentit të Luftëtarit e ka rënduar akoma më shumë situatën dhe ka konfirmuar se gjirokastritët janë në kolaps total.

Pra situata është kjo: – Skënderbeu i dënuar dhe drejt shkrirjes (ikën shumica e titullarëve). – Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari me urdhër nga FSHF (fshihet UEFA nga pas) për të zgjidhur situatën me borxhet ndaj të tretëve.

Flamurtari nuk jep asnjë shenjë jete, ndërsa në Gjirokastër gjërat vetëm përkeqësohen. FSHF ka vënë 31 korrikun si afatin përfundimtar që të katërta klubet të mund të paraqiten në zyrat e saj me një zgjidhje. Shumë e vështirë të ndodhë.

RRËZOHEN SKËNDERBEU DHE LUFTËTARI

Burime të besueshme të gazetës pranë federatës bënë me dije se plani i ri për sezonin e ardhshëm është që të mos lejohet një numër kaq i lartë klubesh me probleme në Superiore. Deri tani, përflitet se FSHF do të rrëzojë Skënderbeun nga kategoria. Motivi zyrtar do të jetë dënimi që KAS la në fuqi, por ndërkohë po eviton që kjo skuadër të marrë pjesë në kampionat sa për numër.

luftetari skenderbeu4

Një tjetër skuadër që pritet të bëhet shembull është edhe Luftëtari. FSHF duket sa ka marrë një lloj garancie nga Tirana, Vllaznia dhe Flamurtari se do ta gjejnë një zgjidhje, ndërsa në Gjirokastër situata mbetet e zymtë. Në korridoret e federatës bëjnë me dije se FSHF mund ta rrëzojë Skënderbeun dhe Luftëtarin dhe të ngjisë ekipet e vendeve të dyta në Kategorinë e Parë, Dinamon dhe Besën.

SI VAZHDON SKENARI…

Ardjan Takaj e ka paralajmëruar dy ditë më parë se do të investojë te Skënderbeu edhe në Kategorinë e Parë, të Dytë, apo të Tretë. Çka mund të përkthehet se ai është tashmë në dijeni të këtij plani. Po çfarë ndodh nëse rrëzohen këto dy klube? Plani, ose më saktë ajo që përflitet është që të rikthehen Dinamo dhe Besa në Kategorinë Superiore.

besa

Emra të mëdhenj, por me probleme serioze gjithashtu. Dinamo nuk ka ekip, sepse mungojnë financat, por as stadium. Ndërsa Besa e ka stadiumin tejet të amortizuar. Për kavajasit mund të gjendet një zgjidhje alternative, pra të bëhet ndonjë investim minimal në stadium, ose t’i luajnë ndeshjet në Durrës, Lushnjë apo Fier. Për Dinamon ka të tjera llogari…

DINAMO LUAN NË… KORÇË

Tingëllon çuditshëm, por ja që ky është një variant. Në pamundësi për të luajtur në kryeqytet, sepse vetëm një stadium është funksional, justifikimi zyrtar është që Dinamo do t’i luajë ndeshjet në Korçë. Nga pas mund të jetë sërish Takaj, madje përflitet edhe për ish-donatorin e Tiranës dhe aktualisht zv.president i FSHF-së, Lutfi Nurin.

Skenderbeu-Dinamo

Pse kjo zgjidhje? Sepse duke rikthyer Dinamon, rikthejmë një emër të madh. Skënderbeun e dënojnë duke e çuar një ose dy kategori më poshtë, por nuk e shkrijnë si klub (kusht i panegociueshëm për të shqyrtuar çështjen e dënimit nga UEFA në Gjykatën Federale).

Nëse qershorin e ardhshëm Skënderbeu merr një vendim pozitiv në Gjykatën Federale, atëherë rikthehet në elitë dhe kërkon dëmshpërblim. Në të kundërt, Dinamo do të jetë “de fakto” “Skënderbeu 2” dhe skuadra e parë e Korçës. Deri në një zgjidhje tjetër. Natyrisht, nuk ka asgjë zyrtare deri në këto momente, por ky është skenari që po qarkullon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"