EKSKLUZIVE/ Skandali me Ndreun, Vitija: Si më goditi trajneri krutan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2021 | 14:41

EKSKLUZIVE/ Skandali me Ndreun, Vitija: Si më goditi trajneri krutan

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Kastriotit është përjetuar si një finale e vërtetë për mbijetesën dhe tensioni ishte i pashmangshëm në fushën e lojës, por edhe pas ndeshjes. I provokuar apo jo nga tifozët e paktë korçarë që ishin në stadium në këtë takim, trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, kthehet me ofendime dhe fjalor banal kundër tyre që në minutën e tretë të sfidës.

sherr mes ndreut dhe vitijesMomenti i tensionit mes trajnerit Ndreu me mbrojtësin e Skënderbeut, Vitija, në përfundim të ndeshjes. FOTO: F.HAZISLLARI

Kjo ishte vetëm shkëndija e parë e këtij takimi. Burime pranë lojtarëve bënë me dije se ofendimet e trajnerit krutan vijuan edhe me lojtarët në fushë, ku Rexhepi dhe Vitija ishin më të piketuarit, veçanërisht portieri i korçarëve.

Madje, sikur të mos mjaftonte kjo, trajneri i Kastriotit lëvizte i lirshëm edhe jashtë zonës së pankinës, gati sa nuk hynte në fushë i pashqetësuar as nga anësori, as nga arbitri i katërt që në asnjë moment nuk i tërhoqi vëmendjen të qëndronte në pozicionin e tij.

Kulmi arriti në fund të takimit. Fillimisht një prej lojtarëve të stolit të Kastriotit debaton me tone të ashpra me ndihmësin e Memellit, Gentian Liçin. Atje ndërhyjnë si Vitija ashtu edhe Rexhepi që ndodheshin pranë. Afrimi i Grecës ndez më shumë situatën që pasohet edhe nga Ndreu, i cili pas ofendimeve ndaj dy lojtarëve godet me shqelm Vitijën pa asnjë shkak.

Ndërhyrja e punonjësve të sigurisë shmang përplasjen e mëtejshme fizike, ndërsa situata duket e nderë derisa ekipi i Kastriotit lë stadiumin. Në përfundim të takimit, mbrojtësi i Skënderbeut, Vitija, është pyetur nga “Panorama Sport” në lidhje me ngjarjen e pazakontë që ndodhi mes tij dhe trajnerit Ndreu.

DEKLARATA – “Nuk e di se çfarë ka pasur trajneri Ndreu dhe Greca në atë reagim që kanë bërë, por mund të them se ishte një shfaqje e shëmtuar.

Në përfundim të takimit u mblodhëm si zakonisht për të festuar fitoren, por si unë dhe Rexhepi pamë që disa prej lojtarëve të Kastriotit po debatonin me zv.trajnerin Gentian Liçi. U afruam për të qetësuar situatën dhe për të mos lejuar një përplasje fizike. Në atë moment vjen Greca që pasi ofendon, përplaset me Rexhepin.

Unë ndërhyra që të shmangia debatin duke thënë se nuk ishin gjëra që shkonin për shtat në fund të takimit. Ndërsa po qetësoja Grecën dhe Rexhepin, vjen trajneri i Kastriotit dhe fillon ofendimet karshi meje dhe kryesisht ndaj Bekim Rexhepit.

Iu afrova dhe me qetësi i thashë se nuk duhet të sillet kështu. Ai më ofendoi dhe më pas më goditi. Nuk e kuptova këtë sjellje të tijën, por ishte tepër e rëndë”, qartësoi incidentin e fundlojës Leonat Vitija.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

VIDEO / Ngjarje e shëmtuar në Korçë, Ramadan Ndreu godet me shkelm lojtarin e Skënderbeut. E mban nga krahët gjyqtari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"