“Treni” i mbijetesës, Luzi mund Apoloninë dhe shpreson. Ferraj: Nuk e meritojmë pozicionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 13:30

“Treni” i mbijetesës, Luzi mund Apoloninë dhe shpreson. Ferraj: Nuk e meritojmë pozicionin

Pas humbjes së thellë në mesjavë në Peshkopi, Luzi u rikthye te fitorja duke mundur 1-0 Apoloninë dhe mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë. Si në shumë takime, edhe ndaj fierakëve, “lokomotiva” e Luzit ishte Patrik Treni, i cili shënoi golin e fitores dhe duke arritur në kuotën e 14 golave të shënuar.

luzi apolonia

Apolonia vuajti shumë daljen me katron të kuq të sulmuesit Ubumejego në minutën e 30-të.

Ndeshja- Luzi tregoi që në start se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga loja dhe ambicia e tij. Pa kaluar as 10 minuta, Patrik Treni depërtoi bukur në zonë, por nxitohet. Në të 20-ën provon përsëri Treni, por pret Harizaj pret. Miqtë kundërpërgjigjen me Umejiengon, por gjuajtja e tij tund rrjetën e jashtme të portës. Dy minuta më vonë, sulmuesi bën një ndërhyrje të rëndë në kaviljen e kundërshtarit dhe gjyqtari nuk heziton, nxjerr direkt kartonin e kuq. Apolonia, ndonëse me një lojtar më pak, rrezikojnë në minutat 37 e 40 me Trifonin dhe Bejzaden, por pa rezultat.

Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa Luzi u tregua më kërkues në të dytën. Në minutën e 55-të Patrik Tren futet brenda zonës, godet tokazi dhe e dërgonin topin në rrjetë, 1-0 për Luzin. Mandela mund ta mbyllte takimin në të 69-ën, por për çudi e të gjithëve sulmuesi godet jashtë. Më tej, do të ishte radha e Çuçkës të gabonte dhe pas tij Trenit. Miqtë me 10-të lojtarë nuk mundën dot të dilnin para, por vetëm u mbrojtën dhe gjithçka u mbyll me fitoren minimale të  Luzit, që gëzoi edhe tifozërinë vendëse.

Trajneri Mërgjyshi- Pas ndeshjes trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, u shpreh: “Më vjen keq që humbëm. Jam i kënaqur nga angazhimi i ekipit, ku na dëmtoi jo pak dalja e sulmuesit me të kuq. Luajtëm 65 minuta me 10 lojtarë. Patëm rastet tona, por nuk i shfrytëzuam. Ky është futbolli dhe duhet të jemi gati për ‘play off’-in në vijim”.

Ferraj: Nuk e meritojmë pozicionin

 

Nertil Ferraj, njëri nga trajnerët e Luzit, pas ndeshjes tha: “Të vjen vërtet keq që këta djem të ndodhen në këtë situatë. Kundër Apolonisë hymë në fushë me besim e bindje për fitore. Bëmë mirë, edhe pse Mandela, Çuçka dhe Treni mund ta kishin mbyllur ndeshjen me rastet që krijuam. Fitorja më gëzon, por të vjen keq që këto talente e ky ekip të rrezikojë mbijetesën, me lojën e kualitetet që ka. Ne do të vijojmë të luajmë ndershëm deri në fund”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"